Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se përderisa Kosova e konsideron propozimin evropian si bazë të mirë për diskutime të mëtejshme, një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, duhet të përfshijë njohjen reciproke.
Kryeministri kosovar thotë se edhe zyrtarët evropianë dhe amerikanë e kanë pranuar se njohja duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale.
“Procesi i bisedimeve nuk ka filluar ende, duhet të ketë takim të nivelit të lartë që ftohet nga përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe nga bisedimet mandej shohim se çka e kur. Por, normalizim të plotë të marrëdhënieve pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë. Pra, në çdo takim që kemi pasur me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, e pranojnë se normalizimi dhe njohja nuk mund të çahen e ndahen prej njëri-tjetrit”, theksoi ai.
Kosova dhe Serbia vitin e kaluar kanë pranuar një propozim të Bashkimit Evropian, që fillimisht njihej si propozimi franko-gjerman, për normalizimin e raporteve.
Të dyja palët e kanë pranuar këtë dokument, i cili nuk është bërë publik./Opinion.al