Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me protestën që opozita do të zhvillojë në orën 12:00 në Tiranë, në një kohë kur në kryeqytet po zhvillohet samiti i BE-Ballkani Perëndimor.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Berisha pohon sërish se protesta do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa shton se do të jetë një uragan i paparë.
“Sot tirani lebetitet! Uragan i paparë në ora 12:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”!”, shkruan Berisha në Facebook.
Teksa, Tirana ndodhet nën masa të rrepta sigurie për shkak të samitit, mësohet se demokratët do të mblidhen nga rrugë të ndryshme të Tiranës në Sheshin Skënderbej apo dhe në vende të tjera.
Grumbullimi i tyre pritet të nisë rreth orës 11:30. Ndërkohë që në këtë orë do të nisë marshimi i simpatizantëve apo dhe përfaqësuesve të PD-së nga selia blu dhe më pas do të bashkohen të gjithë para ish-hotel Dajtit. Skena ku do të flasin protestuesit është ngritur mbi një kamioçinë lëvizëse./Opinion.al