Gjykata e Posaçme e Apelit ka rikthyer në qeli ish-prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi, i dënuar nga Shkalla e Parë për korrupsion.
GJKKO kishte pezulluar dënimin e tij me burg duke e vendosur në shërbim prove.
Por me vendimin e sotëm, me gjykim të shkurtuar, Karriqi është dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
“Sa më lart, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 30, datë 06.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me kualifikimin ligjor të veprave penale, fajësinë e të pandehurve, llojin dhe masën e dënimit për të pandehurit I.G., E.B. dhe D.D., për provat materiale si dhe për shpenzimet gjyqësore. Ndryshimin e këtij vendimi për pjesën tjetër në këtë mënyrë:
Dënimin e të pandehurit E.K. me 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
– Në bazë të nenit 406, paragrafi 1, të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3 e tij, duke dënuar përfundimisht të pandehurin E.K. me 2 (dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
– Dënimi me burgim për të pandehurin E.K. do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme”-thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ish-prokurori u arrestua më 30 qershor të vitit 2021 në Kavajë me urdhër të SPAK. Përmes përgjimeve, Prokuroria e Posaçme arriti të provojë se Karriqi ka marrë 2000 euro ryshfet për lehtësimin e masës së sigurisë për një të pandehur, i dënuar për drogë.