Teksa publikohet libri i saj i ri mbi origjinën e universit, shkencëtarja shqiptaro-amerikane, Laura Mersini ka treguar se si puna e saj në teorinë e multiverseve ndikoi në Stephen Hawking dhe sesi sundimi sovjetik i dha formë urisë së saj për dije.
Laura Mersini-Houghton lindi në Shqipëri dhe u rrit nën një regjim totalitar komunist i cili, deri në rënien e tij në 1991, e shkëputi vendin nga pjesa tjetër e botës. E ndikuar nga babai i saj, Nexhat Mersini, një matematikan, ajo pati një interes të madh për fizikën dhe, në vitin 1994, fitoi një bursë Fulbright për të studiuar në SHBA.
Libri i saj i parë, “Para Big Bengut”, përshkruan përpjekjen e saj për të ndriçuar mbi origjinën e universit tonë dhe për të provuar se ne jemi një nga shumë universet në një multivers shumë më të gjerë. Mersini-Houghton tani është profesoreshë e fizikës teorike dhe kozmologjisë në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill, megjithëse aktualisht ndodhet në Kembrixh, Angli, ku kalon çdo verë duke bërë kërkime.
Intervista për “The Guardian”
Si i dha formë të menduarit jeta në një shoqëri të mbyllur?
Mendoj se inkurajoi një dashuri më të madhe për lirinë dhe dijen – sa herë që të ndalohet të mësosh për një vend përtej, kjo të bën vetëm më kurioz. Gjithashtu, për shkak të realitetit shumë të zymtë të Shqipërisë njerëzit ishin më të etur për dije sesa unë tani në perëndim. Gjithashtu, ekziston dëshira për të gjetur përgjigjen dhe të mos jesh i impresionuar vërtet nga filozofia dominuese e fushës në atë kohë.
Çfarë ju tërhoqi te fizika teorike dhe kozmologjia në veçanti?
Kozmologjia ka të gjitha pyetjet më magjepsëse për të cilat kam ëndërruar që kur isha fëmijë: nga lindi universi dhe çfarë kishte përpara se të ekzistonte? Për sa i përket punës në fizikë teorike dhe jo eksperimentale, unë nuk jam një person praktik – po të futesha në një laborator, ndoshta do i vija zjarrin aksidentalisht.
Ju shkruani se fillimi i këtij shekulli ishte një kohë e mirë për të hyrë në fushën e kozmologjisë. Pse?
Sepse njohuritë kishin avancuar kaq shumë, dhe për herë të parë ne mund të bënim ato pyetje të mëdha që më magjepsnin si fëmijë. Kishte dy gjetje të mëdha që vërtet e nxitën atë kureshtje. Në vitin 1998, një grup astronomësh të supernovës zbuluan se ka energji të errët në univers, dhe që në fakt është përbërësi dominues – dhe kjo është saktësisht e njëjta lloj energjie si ajo që ekzistonte në kohën e Big Bengut.
Përbërësi tjetër ishin gjetjet teorike në teorinë e fijeve. Teoria e fijeve u krijua për të përmbushur ëndrrën e përjetshme të Ajnshtajnit për një univers të vetëm të shpjeguar nga teoria e gjithçkaje. Por rreth vitit 2004, teoria e fijeve përfundoi me një peizazh të tërë me shumë energji të mundshme që mund të fillonin universe si yni.
Në libër, ju përshkruani një moment eureka që keni pasur në një kafene të Karolinës së Veriut. Çfarë kuptove?
Isha shumë e intriguar nga vlerësimi i fizikanit fitues i çmimit Nobel, Roger Penrose se kishte pothuajse zero mundësi që universi ynë të dilte në ekzistencë. Vazhdova të zbërtheja argumentin e tij, i cili bazohet në ligjin e dytë të termodinamikës, duke u përpjekur të zbuloja nëse ai bëri diçka të gabuar. Pastaj kuptova se problemi nuk ishte te llogaritja e tanishme, ishte më shumë te mënyra jonë e të menduarit, se kishim nevojë për një ndryshim paradigme nga një univers në shumë të tillë. Dhe këtu fillova të huazoja peizazhin e teorisë së fijeve për të kryer llogaritjen. Në kafene mendova, OK, e kam bindur veten se kam nevojë për një grup të shumë universeve të mundshme foshnjore nga të cilat të zgjedh, por si mund ta marr përgjigjen, cili është i yni? Dhe pastaj kuptova: mekanika kuantike në peizazhin e teorisë së fijeve. Me fjalë të tjera, mendoni për universin si një valë, dhe më pas ekuacionet kuantike do më tregojnë se çfarë ndodh me atë valë.
Pasoi shumë punë të vështira matematikore. Ju u penguat pas raundit tuaj të parë të llogaritjeve. Çfarë kishit anashkaluar?
Më kishte humbur përbërësi më i rëndësishëm dhe ai është: zgjidhja e këtij ekuacioni nuk është vetëm një degë apo një univers, është një familje e tërë. Pra, këto degë që mund të rriten dhe të bëhen universe janë të gjitha të ngatërruara në mënyrë kuantike me njëra-tjetrën. Në mënyrë që secili të krijojë identitetin e vet ndërsa rritet në universe klasike, ata duhet të shkëputen nga njëri-tjetri. Kjo në fizikë njihet si dekoherencë, ose larja e çdo gjurme të ngatërresës kuantike që nuk ka asnjë homolog në fizikën klasike. Nuk e kisha marrë parasysh këtë.
Pasi llogaritja juaj ishte gati, si e keni bërë testimin e saj?
Kur ndodh procesi i ndarjes së universeve, kjo është pika kur krijohet sfondi kozmik mikrovalor (CMB). Pra, të gjitha luhatjet e inflacionit do lënë shenja ose gërvishtje si rezultat i kësaj ndërthurjeje, dhe ato do të nguliten në CMB-në tonë, të universit. Kjo ishte diçka që ne mund ta llogarisnim. Kështu që unë llogarita forcën e ngatërrimit midis degëve të ndryshme dhe sa shpejt ajo ndodh. Kjo më lejoi të zbuloja se sa gërvishtje ose shenja do linte ajo ngatërresë në qiellin tonë ndërsa po krijohej gjatë inflacionit, dhe më pas të përshpejtoja deri në ditët e sotme, për të bërë parashikime se si do të dukeshin ato anomali shumë të mëdha. Një nga parashikimet kryesore të inflacionit kozmik është se gjithçka është e spërkatur në mënyrë uniforme në të gjithë qiellin. Por tani shenjat që vijnë nga ndërthurja me universet e tjerë po e modifikojnë ose e dëmtojnë atë uniformitet, duke e prishur atë në shkallë shumë të lehta. Ne i parashikuam ato, dhe ato u panë nga sateliti Planck në vitin 2013.
Ky duhet të ketë qenë një moment i mahnitshëm vërtetimi.
Po. Dhe mendoj se kjo ishte kur njerëzit filluan t’i kushtonin shumë më tepër vëmendje kësaj pune. Deri atëherë, besimi ishte se, për të parë përtej horizontit të universit tonë, do të duhej të thyenim shpejtësinë e dritës, gjë që nuk mund ta bëjmë. Pra, nëse nuk mund ta testojmë multiversin, atëherë pse të shqetësohemi për ta hulumtuar atë? Por Rich Holman, Tomo Takahashi dhe unë treguam se nuk keni nevojë të dilni nga ky univers, në fakt mund t’i gjeni të gjitha gjurmët brenda qiellit tuaj. Kjo ishte kur e gjithë fusha u zhvendos papritur dhe të gjithë po bënin kërkime mbi multiversin.
Dhe a do të thoni se është e zakonshme tani?
Oh, absolutisht. Të gjitha mendjet e mëdha po punojnë për të. Roger Penrose ka teorinë e tij multiverse. Dhe Stephen Haëking, në vitet e fundit të jetës së tij, filloi të punojë në multivers. Kudo që të shikoj, befas të gjithë kanë një version të multiversit.
Multiversi është një koncept befasues. A mendoni shpesh për universet e tjera atje?
Po, po. Në një mënyrë, është shtrirja më e natyrshme e parimit të Kopernikut, sepse dikur menduam se Toka ishte qendra e universit, dhe më pas sistemi diellor dhe galaktika jonë, dhe tani po gjejmë se edhe universi ynë është vetëm një kokërr e vogël pluhuri në një kozmos shumë më të ndërlikuar dhe më të bukur. Kjo për mua ka shumë më tepër kuptim.
A duket e mundshme që universet e tjera mund të strehojnë jetë?
Absolutisht. Me Fred Adams, një astrofizikan në Universitetin e Miçiganit në Ann Arbor, vendosa të zbuloja nëse strukturat do formoheshin në universe që kishin kushte shumë të ndryshme nga tonat. Ne zbuluam se ju mund ta ndryshoni konstantën e Njutonit me 10,000 – gjashtë rende të magnitudes – dhe mund të bëni të njëjtën gjë me konstanten e Planck-ut, dhe prapë të merrni jetë në universe të tjerë. Në fakt, universi ynë duket se është i banueshëm vetëm në kufi. Ne ishim ulur pikërisht në skajin midis të banueshmes dhe të pabanueshmes.
Ju pëlqeu duke shkruar librin? Dhe a ishte e kënaqshme të ktheheshit pas hap pas hapi në punën tuaj?
Po dhe jo. Fillimisht, isha e emocionuar për të ndarë atë pasion dhe ngacmim të kërkimit me publikun e gjerë. Por më pas pati një shtysë për të ndarë gjithnjë e më shumë histori personale. Dhe tani kolegët e mi, të cilët nuk dinin absolutisht asgjë për jetën time, papritmas mund të zbulojnë gjithçka. Kjo është një ndjenjë e çuditshme.
A kaloni shumë kohë në Shqipëri këto kohë?
Nuk jam kthyer prej shumë kohësh, sepse familja ime u transferua në Toronto dhe babai im vdiq dhe nuk ka mbetur askush atje. Unë do t’ju tregoj një sekret. Unë dhe Stephen Haëking po organizonim një konferencë në Shqipëri. Ai ishte shumë i emocionuar për këtë, dhe gjithçka ishte në rrugën e duhur, por ai vdiq një muaj para se të ndodhte. E telefonoja çdo javë për të kontrolluar shëndetin e tij dhe pasi vendosëm ta anulonim sepse Haëking nuk ishte mirë, më kujtohet kryeinfermierja e tij duke thënë: “Çfarëdo që të bësh, mos i thuaj se e ke anuluar konferencën në Shqipëri, sepse ai mezi e pret.” Kështu që nuk i thashë kurrë.