Të paktën 4 persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi të armatosur në një spital në Tulsa në Oklahoma të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas BBC, autori ishte i armatosur me pushkë dhe pistoletë.
Ndërkohë policia bën me dije se mes viktimave është dhe autori i krimit i cili pas ngjarjes dyshohet se qëlloi veten.
Oficerët mbërritën në vendngjarje në Spitalin St Francis në tre minuta, duke parandaluar që numri i viktimave të ishte më i lartë.
Duke folur në një konferencë për shtyp të mërkurën, zëvendës shefi i policisë Eric Dalgleish tha: “Tani për tani kemi katër civilë të cilët kanë humbur jetën. Po ashtu edhe autori ka ndërruar jetë”. Ai tha se autori, i cili ende nuk është identifikuar, ka pësuar plagë vdekjeprurëse me armë zjarri, të cilat besohet se ia ka shkaktuar vetes.
Gjithashtu janë konfirmuar shumë persona të tjerë të lënduar./Opinion.al