Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosi të hapë 24 kuti votimi të Qarkut Berat të ankimuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Hapja e kutive do të bëhet për të marrë në cilësinë e provës të materialeve zgjedhore si procesverbalet e votimit, raportin e pajisjes së identifikimit elektronik, regjistrin e zgjedhësve me nënshkrimet etj.
LSI ka kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këto qendra votimi e për rrjedhojë, pavlefshmërinë në të gjithë Qarkun e Beratit dhe përsëritjen e zgjedhjeve.
Krahas kësaj, me shumicë votash, anëtarët e KAS vendosën të rrëzojnë kërkesën e Partisë Demokratike për të marrë prova shtesë nga organe të tjera shtetërore si Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Hetimi për pretendimin e manipulimeve në Qarkun e Beratit do të përfshijë edhe kryqëzimin e të dhënave të pajisjes së identifikimit elektronik me listën e pjesëmarrëve në zgjedhje në Qarkun e Beratit nën argumentin e verifikimit të votimit të shumëfishtë apo votimit familjar.
Hapja e kutive të 24 qendrave të votit është parashikuar të bëhet ditën e hënë në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Ngarkohet administrata e KQZ për transportin dhe administrimin e provave të sipërcituara. Me shumicë votash vendosëm të mos pranojmë kërkesën e PD për marrjen e provave shtesë për seancën ankimore. KAS vendosi të kryqëzojë të dhënat me pajisjet elektronike për të evidentuar rastet e votimit të dyfishtë apo familjarë, të depozituar nga PD”, tha realtori i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve./ Opinion.al