Ish-prefekti i Vlorës, Eduart Velçani, ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19, pasi ishte intubuar që prej ditës së premte.
Velçani e ka ushtruar detyrën e prefektit për 4 vite në Vlorë, nga viti 2009 në 2013. Jurist në profesion, ai ishte anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike në qytetin bregdetar.
Për vdekjen e ish-prefektit Velçani ka reaguar dhe kryedemokrati Lulzim Basha nëpërmjet një postimi në “Twitter”.
Basha shkruan se Velçani do të mbahet mend për kontributin e tij si dhe për angazhimin si prefekt i Vlorës dhe pjesëmarrjen në degën e PD së Vlorës të cilën ndihmoi ta themelonte.
“Me hidhërim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Eduart Velçanit që humbi betejën me Covid-19. Qytetari me vlera të patjetërsueshme për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë ka qenë mbështetës për çdo problematikë të bashkëqytetarëve të tij vlonjatë.
Ai do të mbahet mend për kontributin e tij për demokracinë, angazhimin si prefekt i Vlorës, dhe në degën e PD së Vlorës të cilën ndihmoi ta themelonte. Ngushëllimet e mija më të ndjera për Edvanin dhe Albanin dhe bashkëshorten Valentinën e miqtë e tij të shumtë. U prehtë në paqe!”– shkruan Basha./Opinion.al