Me rastin e 76-vjetorit të çlirimit të Kavajës nga pushuesit nazi-fashistë, u mbajt sot një ceremoni me veteranë, drejtues të pushtetit vendor, ku i pranishëm ishte edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë fjalës së tij Veliaj tha se ishte krenar që ishte përfaqësuesi i “një partie që i ka rrënjët në anti-fashizëm, i ka rrënjët në historinë e luftës Nacional-Çlirimtare”
“Lufta Nacional-Çlirimtare ka qenë dhe mbetet një simbol lavdie dhe krenarie”, theksoi ai.
Kryebashkiaku thumboi edhe opozitën kur foli për histerikë që sipas tij kërkojnë përçarje.
“E di që ka nga ata histerikë që duan të na përçajnë duke dashur të bëjnë bashkë periudhën e errët komuniste të pasluftës me periudhën e artë të bashkimit dhe sakrificës në Luftën Antifashiste. Janë po të njëjtit që sot duan të na ndajnë edhe në luftën kundër virusit dhe në betejën e rindërtimit. Por ka një vijë ndarëse të qartë në këtë mes, e kanë vendosur edhe vendet e Evropës Lindore, e kemi vendosur edhe ne si Parti Socialiste bashkë me qytetarët e drejtë që dinë të gjykojnë historinë mbi fakte dhe jo mbi llafe. Ka një kufi ndarës të qartë sepse kur filloi lufta, fundi dukej i largët për çdokënd dhe e ardhmja e zymtë dhe e pa qartë për shumë syresh”, shprehet ai.
Ndërsa bëri thirrje për bashkim, Veliaj citoi presidentin e zgjedhur amerikan Joe Biden.
“Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden në fjalimin e tij të parë pa fitores gjithashtu bëri thirrje për bashkim dhe unitet kur tha: “Është koha të largohemi nga retorika e ashpër, të ulim temperaturën e diskutimit publik. dhe të shohim e dëgjojmë përsëri njëri-tjetrin …”. Unë besoj që kjo vlen edhe për kontekstin shqiptar. Ndaj edhe për ne shqiptarët ka ardhur momenti të reflektojmë e ta ndalim vrullin e urrejtjes, të përçarjes dhe të shërohemi jo vetëm nga virusi por edhe nga ndasia dhe dëshpërimi që disa me papërgjegjësi e shpërndajnë.”, tha Veliaj./Opinion.al