Ambasada gjermane në Tiranë ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët që në 10 ditët e fundit kanë qenë në një zonë risku si Shqipëria dhe duhet të udhëtojnë drejt Gjermanisë.
Sipas ambasadës, qytetarët në momentin e hyrjes në Gjermani duhet të njoftojnë vendet ku kanë qëndruar si dhe mjetin e udhëtimit të përdorur për hyrjen në vend.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, ambasada thekson se ky njoftim kryhet në rrugë digjitale dhe ka hyrë në fuqi duke nisur prej ditës së diel datë 8 nëntor.
“Të gjithë personat, që në 10-ditshin e fundit kanë qëndruar në një zonë risku – sipas kategorizimit të bërë nga Instituti Robert Koch (ndër të tjerë: Shqipëria) – kanë detyrimin e njoftimit. Kjo do të thotë që në momentin e hyrjes në vend duhet të përcillen të dhënat personale, vendet e qëndrimeve deri në dhjetë ditë përpara dhe pas hyrjes në vend, si dhe mjeti i udhëtimit i përdorur për hyrjen në vend. Njoftimi zakonisht kryhet në rrugë digjitale.
Ky rregull vlen duke nisur prej ditës së diel datë 8 nëntor. Një kopje e njoftimit në rrugë digjitale apo në ndonjë mënyrë tjetër e hyrjes në vend duhet të mbahet me vete. Informacione të mëtejshme të rëndësishme si dhe mënyrën për të njoftuar e gjeni këtu: https://www.einreiseanmeldung.de.“, përfundon njoftimi./ Opinion.al