Ka nisur marshimi i qytetarëve nga sheshi “Skënderbej” drejt godinës së Kryeministrisë, në kuadër të protestës së 21-të kundër qeverisë. Tubimi, i cilësuar nga organizatorët si një protestë mbarëkombëtare, këtë herë udhëhiqet nga diaspora shqiptare dhe ka një prani të shtuar të flamujve kuqezi e simboleve kombëtare.
Krahas pjesëmarrjes së shtuar të diasporës, në protestën e sotme vihet re edhe një numër më i madh qytetarësh në krahasim me tubimet e ditëve të fundit.
Në zonën përreth Kryeministrisë është shtuar prania e forcave të policisë, të angazhuara për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e tubimit. Megjithatë, zyrtarë të policisë i thanë A2CNN se deri tani nuk ka indicie që protesta mund të shoqërohet me përplasje apo akte dhune.
Që në orët e para të ditës, shqiptarë të ardhur nga jashtë, nisën të grumbullohen në qendër të Tiranës. Një pjesë e tyre qarkulluan në autokolona në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke valëvitur flamuj kuq e zi në automjetet e tyre në shenjë mbështetjeje për protestën.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë. Më herët gjatë ditës, kreu i qeverisë reagoi ndaj këtyre thirrjeve, duke i cilësuar kërkesat për dorëheqjen e tij si të pabazuara dhe jashtë realitetit.














