Vendimi i KPK për Miranda Andonin, gjyqtaren e Apelit të Gjirokastrës e cila u konfirmua në detyrë, është ankimuar nga Komisioneri Publik.
Komisionerit Publik deklaron se Andoni duhet të rihetohet për të tria kriteret e rivlerësimit pasi hetimi i KPK nuk ka qenë shterues.
Sipas Komisionerit Publik objekti i hetimit shfaq mangësi prandaj KPA do të marrë në dorë tashmë Miranda Andonin.
NJOFTIMI NGA KOMISIONERI PUBLIK
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 257, datë 12.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Miranda Andoni, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 257, datë 12.6.2020, vlerëson se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Miranda Andoni, nuk gjejnë mbështetje në prova dhe në ligjin e zbatueshëm, si dhe nuk bazohen në një hetim të gjithanshëm, të plotë dhe shterues.
Duke çmuar se ky vendim objekt ankimi shfaq mangësi në hetimin administrativ, konstaton se indiciet e dala nga aktet e administruara janë shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.
Në këto kushte, Komisioneri Publik e vlerëson të nevojshme t’i kërkojë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që të riçelë hetimin gjyqësor për të tria kriteret e rivlerësimit, pasi rezulton se hetimi i Komisionit nuk ka qenë shterues në drejtim të indicieve të rezultuara nga institucionet.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë./ Opinion.al