Që në fillim, vrulli që mori përhapja e covid-19, prej një qyteze të vogël në Kinë dhe pastaj pothuajse në të gjthë globin, shtoi frikën për përballimin e epërsisë së këtij virusi. E gjithë bota do të duhej t’i nënshtrohej karantinës në mënyrë që të shmangej përhapja dhe infektimi. Në rang global vdekjet në total patën një rritje statistikore të lartë, ndërkohë që në Shqipëri numërojmë sot vetëm 35 viktima, duke u renditur në vendin e 89 në botë me 11 vdekje për 1 milionë banorë. Kjo është shifra më e mirë e rajonit, ku vdekshmëria më e lartë është në Maqedoninë e Veriut me 72 vdekje për 1 milion banorë.
Monitor ka përpunuar ekskluzivisht të dhënat e marra nga Drejtoria e Gjendjes Civile për periudhën janar-prill 2020, ku rezulton se në total janë raportuar 7,878 vdekje. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një rënie me rreth 2.7%, ose 215 vdekje më pak.
Nëse i referohemi muajve të ndarë në periudhën para dhe pas Covid-19, tendenca është e ndryshme. Shifrat tregojnë se në janar dhe shkurt në vend u shënua një rënie e ndjeshme e vdekshmërisë. Në këtë periudhë janë regjistruar 323 vdekje më pak, me një rënie prej 7.2%.
Në periudhën mars-prill, pasi vendi ishte nën “pushtetin” e Covid është konstatuar një rritje e lehtë e vdekshmërisë. Në këto dy muaj, 108 persona humbën më shumë jetën në krahasim me mars-prill të 2019-s. Ndonëse ka një rritje të jetëve të humbura në mars-prill, të dhënat tregojnë se ato nuk vijnë nga zonat e nxehta, ku ka pasur më shumë raste të shfaqura të Covid./Monitor.al