Policia e Vlorës në bashkëpunim me zyrën e Interpolit në Tiranë kanë arrestuar një person në kërkim ndërkombëtar.
I ndaluari është Ergust Dumitru (Bubeqi), 37 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit Aquila, Itali, në vitin 2018, e ka dënuar këtë shtetas me 9 vjet e 10 muaj burg, për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafik narkotikësh” dhe “Vjedhja me dhunë”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shfrytëzuar për prostitucion disa vajza rumune, duke i detyruar ato përmes dhunës që të ushtronin prostitucion në qytetet Montesilvano, Città Sant’Angelo, Silvi dhe Pescara, gjatë periudhës janar-qershor 2007.
Arrestimi provizor u krye me qellim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet, nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë./ Opinion.al