Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Rama pasi siç thotë ai keqqeverisja e tij është arsyeja që shqiptarët janë ndër popullsitë kryesore që kërkojnë azil në Europë.
Basha e shoqëron reagimin e tij në Twitter me një foto. Aty tregohet se Shqipëria ka patur më shumë aplikime për azil në BE në raport me popullsinë për vitin 2019 se Iraku, Afganistani, Venezuela dhe Siria.
Ai e akuzon gjithashtu kryeministrin Rama se “po zbraz vendin” dhe ky është sipas tij “një akt tradhtie kombëtare”.
Sa kohë ky njeri drejton Shqipërinë, aq kohë shqiptarët do zbrazin vendin e të parëve. Keqqeverisja e këtij KM që vret shpresat e qytetarëve, është arsyeja për këtë rekord botëror të zi në emigracion. Është koha për të reaguar. Zbrazja e Shqipërisë është akt tradhëtie kombëtare! pic.twitter.com/dwjS38I1Cx
— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) March 6, 2020
Sipas raportit të publikuar pak ditë më parë nga Agjencia Evropiane për Azilin (EASO) Shqipëria vazhdoi të ishte mes dhjetë vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve në Evropë gjatë vitit 2019.
Të dhënat e Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO) bënë të ditur se në vitin 2019, aplikimet për azil nga Shqipëria ishin 22.9 mijë, me një rritje të lehtë prej 2% në raport me vitin e mëparshëm, duke iu kthyer tendencës rritëse pas katër vitesh radhazi kur numri i azilantëve po vinte në rënie. /Opinion.al