Shtëpia e Bardhë ka pranuar se nuk ka mjaftueshëm materiale testues të koronavirusit.
Në një konferencë shtypi të hënën, Komisioneri i Administrimit të Ushqimit dhe Barnave Stephan Hahn tha se afro një milion reagentë do të ishin gati deri në fund të kësaj jave.
Por zëvendës-presidenti Mike Pence pranoi të enjten se ai objektiv nuk do të përmbushej.
“Ne nuk kemi mjaftueshëm materiale testimi sot për të përmbushur atë që parashikojmë se do të jetë kërkesa në të ardhmen” tha Pence gjatë një vizite në një fabrikë në Minesota.
Duke folur në shtetin e Uashingtonit në mbrëmje, ai shtoi se SHBA ka “ende një mënyrë për të siguruar që testet të jenë në dispozicion.”
Pence tha që deri në fund të javës tjetër, furnizuesi me reagentë i qeverisë amerikane do të shpërndajë komplete në të gjithë vendin që do të mundësonte që 1.2 milion amerikanë të testohen për koronavirus.
Presidenti Donald Trump thotë se SHBA ka pasur relativisht pak raste të konfirmuara të virusit për shkak të vendimit të administratës së tij për të ndaluar hyrjen në SHBA të shtetasve të huaj që kanë vizituar Kinën dhe Iranin gjatë 14 ditëve të mëparshme.
Por ekspertët e shëndetit kanë frikë se virusi mund të përhapet i pazbuluar në komunitetet e SHBA-së për shkak të mungesës së materialeve të testimit.
Presidenti pritet të nënshkruajë një projekt-ligj financimi prej 8.3 miliardë dollarësh i miratuar nga Senati amerikan të enjten. Ai ka për qëllim të ndihmojë qeveritë shtetërore dhe lokale të luftojnë koronavirusin.
Deri tani ka 228 raste të koronavirusit në ShBA dhe 14 vdekje, sipas raporteve të CNN. /Opinion.al