Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka shkarkuar sekretarin e Sigurisë Kombëtare dhe të Këshillit të Mbrojtjes, Oleksandr Danylyuk.
Mësohet se ai ka ofruar dorëheqjen përpara se Zelenskiy të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara, javën e kaluar, për të ndjekur punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Danylyuk dhe zyra e presidentit nuk dhanë arsye për vendimin.
Nuk është e qartë nëse ai lidhet me bisedën telefonike që Zelenskiy ka zhvilluar me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për shkak të së cilës Kongresi amerikan ka nisur procedurat për shkarkimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Sipas transkriptimit të publikuar javën e kaluar nga Shtëpia e Bardhë, Trump, gjatë bisedës telefonike më 25 korrik, i ka kërkuar Zelenskiyt të hetojë për korrupsion rivalin e tij politik, Xho Bajden, dhe djalin e tij.
Rivalët e Trumpit – demokratët – e kanë konsideruar këtë si “tradhti ndaj betimit të presidentit dhe sigurisë kombëtare” dhe kanë nisur procedurat për shkarkimin e tij. /Opinion.al