Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias i është drejtuar me një mesazh autoriteteve shqiptare për të përfunduar sa më shpejtë hetimet për ngjarjen ku humbi jetën Konstantinos Katsifas.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Dendias në një interpelancë në parlament e cila është publikuar sot.
“Athina i ka bërë të qartë palës shqiptare se hetimet përkatëse duhet të përfundojnë menjëherë dhe të publikohet sa më shpejt të jetë e mundur, pa vonesa të mëtejshme, raporti i hollësishëm që do të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e çështjes dhe kjo do të çojë në dhënien e drejtësisë, por dhe sigurisë për minoritetin kombëtar grek”, thekson kryediplomati grek.
Dendias ka kritikuar vonesën në hetime, e ardhur si pasojë e ndryshimit të prokurorit të çështjes dhe kërkon që të publikohet sa më shpejtë Raporti Zyrtar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai nënvizoi faktin se ministria që ai drejton po e trajton me seriozitet këtë çështje edhe në planin ndërkombëtar.
“Mbrojtja e të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek, ka të bëjë jo vetëm me marrëdhëniet bilaterale Greko-Shqiptare, por edhe me perspektiven evropiane të Tiranës, pasi përbën një nga 5 prioritetet kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë që të marre ne tetor datën për hapjen e negociatave për integrim në BE” përfundoi Dendias përgjigjen e tij. /Opinion.al