Sipas kreut të opozitës, Lulzim Basha, ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar është një aferë për grabitjen e 200 milion eurove dhe këtë gjë ai e ka paralajmëruar një vit më parë.
Me anë të një statusi në Facebook, Basha risjell në vëmendje një deklaratë të tijën më 28 korrik 2018 ku thekson se “nuk do të ndërtohet Teatër pa kulla” dhe se “Rama ka shpenzuar aq para sa për të ndërtuar 5 teatro kombëtarë”.
Në deklaratën e një viti më parë Basha ka propozuar ndërtimin e një godine të re të Teatrit jo mbi truallin ekzistues dhe ka thënë se restaurimi i godinës aktuale duhet bërë “në shërbim të artit e kulturës por dhe si monument unik i trashëgimisë kulturore të Tiranës”.
Kreu i Partisë Demokratike shprehet i lumtur për kontratën që opozita nënshkroi të enjten me Aleancën për Teatrin, gjë të cilën e kishte përmendur edhe një vit më parë.
“Paralajmërimi për Edi Ramën, mafian e ndërtimit dhe mafian e drogës do të formalizohet si një kontratë e Partisë Demokratike me publikun: minat dhe rruspat i presin për çdo projekt korruptiv që do të ndërtohet te Teatri” deklaronte Basha një vit më parë. /Opinion.al