37-vjeçari Ardian Kuka, autori i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes në Durrës është gjetur i mbytur në det. Sipas policisë lokale trupi i pajetë është gjetur në orët e para të mëngjesit në Sektorin Rinia.
Pranë vendit të ngjarjes është gjetur dhe automjeti i 37-vjeçarit, më të cilin dyshohet se u largua pas kryerjes së krimit. Hasbije Kuka nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra në trup, duke ndërruar jetë pak minuta pasi mbërriti në spital. Të premten Ardian Kuka kishte shkuar në banesë për drekë, ku ka nisur të debatojë me bashkëshorten për motive xhelozie.
Në momentin e debatit ka qenë edhe djali i tyre i mitur, i cili ka vrapuar të njoftojë të afërmit mbi sherrin e prindërve. 10-vjecari mendohet të ketë kërkuar ndihmën e dajave, por kur kanë mbërritur ka qenë tepër vonë.
Familjarët e tyre e kanë gjetur gruan të shtrirë përtokë e të gjakosur, ndërsa autori i dyshuar ishte larguar. Të afërm flasin për konflikte të vazhdueshme mes bashkëshortëve, ku së fundmi 36 -vjeçarja kishte kërkuar urdhër mbrojtje.
Sipas mjekëve në spitalin e Durrësit viktima kishte marrë gjashtë goditje me thikë në pjesën e përparme të kraharorit, çka i ka shkaktuar edhe vdekjen/ Opinion.al