Barazimi i Argjentinës me Islandën nuk është pritur mirë nga legjenda e futbollit argjentinas, Diego Armando Marado, i cili në një prononcim për televizionin vendas ‘Telesur’ nuk ka kursyer nga kritikat as ish-dhëndrin tij, Serxho Aguero.
“Çfarë duhet ndryshuar? Pikësëpari, në fushë nuk duhet të mungojë Pavon, një lojtar që më mahnit dhe që di të mbajë ritmin e Mesit dhe ta ndihmojë atë. Për të ndryshuar gjërat nga mesfusha e sipër, duhet me çdo kusht Pavoni. Ai duhet të marrë vendin e… Më duhet ta them, edhe pse më vjen keq për vajzën dhe nipin tim, por Pavon duhet të spostojë në pankinë Agueron. Ai nuk i ka 90 minutat në këmbët e tij dhe kjo u pa qartë ndaj Islandës”, sqaroi ai.
“Nëse ‘Kun’ luan sërish nga minuta e parë ndaj Kroacisë, atëherë kam frikë se do ta vuajmë shumë këtë zgjedhje dhe këtë Botëror. Unë mendoj se nëse Argjentina kërkon të dalë në lojën e saj dhe të jetë e shpejtë, e paparashikueshme dhe e rrezikshme, duhet që të luajë nga minuta e parë me Pavonin dhe me Higuainin në sulm. Unë jam i bindur se këto dy lëvizje do t’i jepnin kombëtares ato që na munguan në debutim”, përfundoi Maradona.