Bordi i Transparencës nuk do të jetë më në funksion, njoftoi ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së ministrave. Zhvillimet e fundit për marrëveshjen mes SHBA-ve dhe Iranit që ka larguar edhe ngërçin në Ngushticën e Hormuzit, kanë ndikuar në rënien e çmimit të naftës në bursë.
“Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me përfundimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarburateve. Sot do të ndërpresim Bordin e Transparencës që prej disa muajsh është në funksion. Çmimi prej dy javësh ka ardhur duke u reduktuar, në bursë ka rënë”, tha Ibrahimaj.
Vendimi i fundit i Bordit lidhur me çmimet e hidrokarbureve ishte të mërkurën, sipas të cilit nafta u vendos të shitej me 176 lekë/litri kurse benzina me 166 lekë.
Bordi i Transparencës u rikthye në funksion në mars, kur më datë 20 shpalli edhe vendimin e parë.















