Në një intervistë të fundit, Papa Françeku e ka cilësuar të gabuar përkthimin e lutjes “Ati Ynë”. Kjo deklaratë e tij ka ngjallur shumë debat për të krishterët, kur Papa u shpreh se kjo lutje duhet ndryshuar.
Pjesa e lutjes “Ati ynë, mos na ço në tundim”, sipas atit të shenjtë është e keqkuptuar dhe shpreh kuptim tjetër nga ajo çfarë është në të vërtetë.
“Është një përkthim jo i mirë. Edhe francezët e kanë ndryshuar fjalinë tani, duke e përkthyer, mos më lër të bie në tundim. Pra jam unë që bie, jo ai që më çon në tundim. Jo, një At nuk bën këtë, ai të ndihmon të çohesh. Ai që të çon në tundim është djalli”.
Krah Papa Françeskut kanë dalë disa prej figurave më të njohura të kulturës dhe artit italian.
Adriano Celentano i jep të drejtë Papa Françeskut, duke thënë se përkthimi i duhur është ai që kanë bërë francezët.
Mirëpo jo të paktë janë ata që nuk janë pro ndryshimit, duke thënë se një lutje nuk duhet thjesht lexuar, por kuptuar mes rreshtave. Lutja “Ati Ynë” është mësuar nga vetë Jezusi, sipas të krishterëve dhe është shtylla kryesore e besimit të tyre.