Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar ashpër pas batutave të sotme të Kryeministrit Edi Rama lidhur me dhurimin e gjakut nga deputetët, duke theksuar se Kryeministri “tallet me gjakun e shqiptarëve” dhe se “‘pirja e gjakut’ nuk është metaforë.”
Në fjalimin e mbajtur në mbledhjen e kryesisë së PS-së, Kryeministri Rama tha: “I kam kërkuar kryetarit të grupit që të organizojë një seancë dhurimi gjaku, edhe mirë bën nga pikëpamja e imazhit të deputetit, sepse balancon atë idenë se ne vetëm pimë gjak dhe krijon idenë se ne, edhe japim gjak.”
“Ai tallet me gjakun e shqiptarëve, ta dijë se ‘pirja e gjakut’ nuk është metaforë. ‘Rama 1’ u ka marrë shqiptarëve 1.5 miliardë dollarë sipas shifrave zyrtare, para që janë abuzuar shpërdoruar dhe vjedhur. Tani është duke u kthyer këtë gjak të vjedhur shqiptarëve”, tha Basha në një prononcim për mediat në hyrje të Parlamentit.
“1.5 miliardë dollarë të vjedhura nga ‘Rama 1’ dhe ministrat e tij…çdo ditë që kalon bëhet edhe më e qartë se asgjë nuk ka ndryshuar, gjërat do të shkojnë keq e më keq për sa kohë vendi të qeveriset nga Edi Rama me një kabinet fasadë, dhe parapa kësaj fasade do të vazhdojë vjedhjen e shqiptarëve, do të vazhdojë ‘pirja e gjakut’, do të vazhdojë papunësia, shëndetësia në kolaps…ndaj detyra kryesore e opozitës është të mobilizojmë të gjitha forcat brenda dhe jashtë asaj salle.”