Shqipëria shënoi ritmet më të larta të rritjes së çmimeve të ushqimeve në rang europian edhe gjatë muajit prill. INSTAT publikoi indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për prillin 2017, i cili ndryshe nga indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) mat ndryshimin e çmimeve për familjet shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Ky indeks rezultoi 3.6 për Shqipërinë në muajin prill niveli më i lartë në Europë sipas iNSTAT.
Sipas INSTAT Ky ndryshim, është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 8,0 %, pasuar nga grupet “Transport” me 3,5 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2 %, “Argëtim dhe kulturë” me 3,0 %, etj.
Ndërsa çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 2,1 %, pasuar nga grupi “Mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,2 %.
Në muajin Prill 2017, ndryshimi mujor i indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të konsumit është -0,7 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike”.
Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, janë ndërmarrë hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e iHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Evropian (KE), nr 2494/95, të datës 23 tetor 1995. inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së.
Termi “i harmonizuar”, nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së, zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Në kuadër të konvergjencës, edhe Shqipëria, si një vend kandidat i BE-së, ka detyrim të llogarisë dhe të publikojë treguesin “IHÇK”. INSTAT-i, nga muaji shkurt i vitit 2017, ka filluar të publikojë këtë tregues të ri të çmimeve të konsumit, me frekuencë mujore. Objektivi nuk është të disponohen dy matje të ndryshme të inflacionit total, por që secila prej tyre të synojë të llogarisë ecurinë e çmimeve të konsumit në ekonomi, në varësi të qëllimit për të cilat ato ndërtohen, përkatësisht si më poshtë:
Vera e inflacionit e llogaritur sipas IÇK-së shërben për të matur ecurinë e çmimeve të konsumit dhe për të hartuar politika dhe strategji ekonomike dhe sociale të vendeve të ndryshme. Më në veçanti, në rastin e Shqipërisë, objektivi parësor i politikës monetare është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Në terma numerikë, Banka e Shqipërisë synon, që rritja vjetore e çmimeve të konsumit në vend, e matur nga IÇK-ja, të jetë në nivelin 3% në afat të mesëm.
Ndërsa vlera e inflacionit e llogaritur sipas IHÇK-së, përdoret ekskluzivisht për krahasimin e niveleve të inflacionit, sipas shteteve anëtare dhe kandidate të BE-së.
IÇK-ja përmban 332 zëra, ndërsa IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.
Në rastin e IÇK-së është përfshirë zëri “Qira e imputuar” me një peshë të rëndësishme, ndërkohë që në ndërtimin e IHÇK-së, ky zë nuk është pjesë e shportës. Në grupet e tjera dallimet janë verifikuar pas kryerjes së dy vrojtimeve që qëndrojnë në bazën e ndërtimit të këtyre dy treguesve, Anketa e Buxhetit të Familjeve 2015 për IÇK-në dhe Llogaritë Kombëtare.
Banka e Shqipërisë sqaron se për shkak të ndryshimeve kryesore të përmendura më lart, dy treguesit, jo vetëm nuk mund të japin informacione të njëjta numerike, por mbi të gjitha, nuk mund të përdoren për qëllime të njëjta analizash dhe vendimmarrjeje.
Krahasimi i dy serive të inflacionit total tregon se ndikimin kryesor në ndryshimet vjetore të IÇK-së dhe të IHÇK-së, në tremujorin e parë të vitit 2017, e ka dhënë grupi “Ushqime dhe pije joalkolike”, përkatësisht në masën 75% dhe 83%.