Tonin Malgjoni nga Iballa e Pukës tregon në emisionin “STOP”, historinë e tij të pazakontë.
Ai është martuar në vitin 1994 dhe ka 6 fëmijë. Gruaja e tij, Dita, së shpejti del në pension, por në gjendjen civile nuk ekziston akti i martesës.
Tonini thotë se ka takuar zëvendësprefektin dhe ka hapur dhe gjyq për këtë çështje, por përgjigja që ka marrë është se nuk ka prova për martesën e tyre.
“Unë quhem Tonin Malgjoni. Jam martuar më datë 15 Mars 1994 dhe kam 6 fëmijë. Jam paraqitur pranë Gjendjes Civile, ish-komuna Iballa, për të marrë një çertifikatë akt martese. Punonjësi i Gjendjes Civile më tha se nuk mund të quhet martesa sepse ish-punonjësit që kanë qenë nuk kanë vendosur datën. Unë çertifikatën e marr sepse jam i martuar. Ja ku është, këtu thotë Tonin Malgjoni kryefamiljar, Dita Malgjoni bashkëshortja. U drejtova tek zëvensësprefekti dhe i them se kam këtë hall. Ai vetëm më tundi krahët dhe tha s’kam ça të bëj fare. Hapa gjyq në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, u zhvilluan 3 seanca dhe më thanë se nuk kam prova”.
Çfarë të penalizon mospasja e këtij akti?
“Më penalizon që bashkëshortja mund të dalë në pension, unë mund të dal dhe më kërkohet që të jetë ky dokument. Është një gjë njerëzore kjo që kërkoj unë. Pse të dal unë i pamartuar kur jam i martuar?”
Bashkëshortja e tij, Dita tregon se janë njohur kur ajo ka qenë 21 – vjeçe, ndërsa Tonini 30 – vjeç dhe janë lidhur me dashuri.
Tonin Malgjoni i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, ku ka paditur Gjendjen Civile të Iballës për aktin e martësës që mungon. Por, gjykata e ka hedhur poshtë pretendimin e tij duke thënë se kërkesa nuk është bazuar në prova dhe ligj.
Gazetarët e emisionit “STOP” shkuan tek Nënprefekti i Pukës, aty ku çdo akt martese, lindjeje apo vdekjeje arkivohet për të folur me Valentina Seferin, në lidhje me aktin e martesës së familjes Malgjoni.
“Çdo vit aktet mbyllen në 31 Dhjetor dhe deri më datë 10 Janar të vitit pasardhës dorëzohen në Arkivë. Unë kam filluar punë në vitin 2004 në Gjendjen Civile të Rrethit Pukë dhe aktin numër 94 të komunës Iballa të Pukës nuk e kam marrë në dorëzim, për këtë arsye mungon në arkivin e Pukës. Kur është paraqitur shtetasja për të marrë një çertifikatë martese, unë e kam pajisur me çërtifikatë negative, që mungon akti në arkivin e Pukës. Në momentin që shtetasit bëjnë celebrimin, në regjistrin themeltar shënohen emrat e tyre me aktin, numrin dhe datën përkatëse dhe nga gjendja civile, beqar bëhet i martuar.”
Punonjësi i Gjendjes Civile Iballë shprehet se familjes Malgjoni nuk i gjendet akti i martesës sepse në vitin 1994, që ata janë martuar, nuk gjendet numri i aktit dhe data e martesës. Kjo ka ndodhur për shkak të një punonjësi të mëparshëm, i cili nuk i ka dokumentuar të dhënat e Toninit dhe Ditës, person të cilin punonjësi mohon të ketë njohje.
Si mund të dalë një çertifikatë familjare kur nuk ka një akt martese, kur kjo çertifikatë vjen si rrjedhojë e aktit të martesës?
“Nuk e di si duhej shënuar, ndoshta për fajin e punonjësit të mëparshëm. Në vitet 1992-93-94 kemi dhe persona të tjerë të kësaj natyre”.
Sa është numri i këtyre rasteve?
” Nuk e di, rreth 50. Kjo ka ndodhur për shkak të djegies së Gjendjes Civile. Nga vitet 1974-1992 nuk kemi asnjë lloj dokumentacioni dhe për vitet 1992-1993 janë bërë regjistrime të reja dhe ka pasur shumë…”
Gazetarët i drejtohen Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, ku lidhen nëpërmjet një telefonate me gjyqtarin e çështjes, Izet Kadanën.
“Nuk më kujtohet si rast. Ne kemi raste nga më të ndryshmet, por po më vjen keq që silleni kështu, merrni atributet e një gjykate tjetër. Ka Gjykatën e Apelit, është Gjykata e Lartë etj, për të vazhduar procedurën. Qytetari nëse ka ndonjë problem që merreni ju mund të ma thotë troç. Për çdo gjë tjetër unë jam munduar të zbatoj ligjin”.
Qytetari nuk ka asgjë, unë dua t’ju pyes si e keni dhënë këtë vendim dhe të më shpjegoni “të papabazuar në ligj dhe nuk ka prova”.
“Tani më vlerëson vendimet e mia? Më vlerëson ti?”
Unë po ju pyes, nuk po jap vlerësime.
“Nuk e di rastin konkret, sot nuk jam në punë, por do ta shoh. Gjithsesi do të shoh një herë tjetër si është problemi i atij personi. Nuk e di. Besoj se nuk jam munduar ndonjë herë që mos t’ia zgjidh një hallexhiu apo një njeriu që ka të drejtë. Varet se çfarë kleçkash ligjore ka”.
Për sa i përket mungesës së provave ata kanë 6 fëmijë dhe i pa mbështetur në ligj është sepse ka një çertifikatë familjare që rrjedh si pasojë e aktit të martesës…
Në fund ishte stafi i emisionit “STOP” që e “kurorëzoi në martesë” Dita dhe Tonin Malgjonin./ tvklan.al