Në stendën e librit këtë fundviti në atë që njihet tashmë si Panairi i përvitshëm i botimeve, u shqua jashtë rrjeshtit të titujve edhe një libër me një titull intrigues. Një libër pa kohë nga një autore të cilën deri më tani e kemi njohur si gazetare por edhe Drejtoreshë e Marrëdhënieve me Publikun në Tirana International Airport, ku ngjarjet, personazhet, rrethanat, dëshirat, nuk janë fryt i imagjinatës, por vihen në funksion të një shoqërie e cila lëviz me shpejtësi, por që shpesh gjendet në një botë pa busull. Në këtë kontekst i zhvillon ngjarjet meditative edhe libri “Çizmet e Verdha” I autores Arlinda Çausholli, e cila në një bashkëbisedim me Opinion.al rrëfen për publikun mejtimet e saj pa kohë, por me një dallim pasi në mejtimet e saj koha duhet vlerësuar si një aset i çmuar që na është dhënë për të kryer misionin tonë human në jetë.
Nga Dritan Laci
Arlinda, përshendetje. Në këtë fundviti ju keni zgjedhur të vini përballë lexuesit me një libër le të themi pa kohë, ku mendimet zëvendësojnë përjetime të çastit dhe fragmentizohen në përsiatje apo reflektime mbi jetën dhe atë që ne jemi. “Çizme të Verdha” është një titull intrigues por që brenda ka një përjetim real nga fëmijëria juaj…. Përse kjo përzgjedhje…
Faleminderit për përcaktimin e “një libri pa kohë”. Kjo është dhe dëshira ime në fakt, që shkrimet e përmbledhura në këtë libër të jetojnë gjatë dhe lexuesi t’u kthehet herë pas here duke gjetur veten në njëfarë mënyre. Shkrimet janë pjesë e blogut “Ndër Mejtime”, që është publikuar tek Shqiptarja.com gjatë katër viteve të fundit. Libri është ndarë në tre pjesë: Jeta, Njerëzit, Ngjarjet. Shkrimet janë frymëzuar nga këto tre përjetime dhe mejtimet hapen një e nga një duke nisur nga ngjarje të thjeshta, por me sensin e lartë të vëzhgimit ndaj gjithçkaje. Është përzgjedhje e organizuar e historive të vogla të rastësishme, por që kanë si shtyllë kurrizore mesazhe të rëndësishme që na përkasin të gjithëve Ndaj unë sugjeroj të lexohen pak nga pak…dhe shumë ngadalë.
Në një shkrimet e tua që gjen në këtë libër, dhe që unë e përzgjodha si një nga të goditurit, është edhe ai Mos më fol! Kam Kufje! Ku në një pjesë shkruar si perifrazim “Miqtë sot i gjen me klikime. Edhe miqtë mund t’i blesh. Por që në fund mbetemi të Vetmuarit…Në këndvështrimin tënd si ka ndryshuar raporti i miqësisë te njerëzit dhe si e mendon të ardhmen e këtij raporti në një ndriçim le të themi fantastiko-shkencor, duke qenë se çdo lidhje humane varet nga teknologjia dhe rrjetet sociale….
Lidhjet humane varen nga vetë njeriu. Padyshim që teknologjia ka ndryshuar edhe stilin e jetesës sonë dhe jo dhe aq fatmirësisht, i kushtojmë kohë më shumë se duhet. Kjo na dikton në çdo gjë. Por unë mbetem fanatike e telefonit, e të dëgjuarit të zërit, e takimit ballë për ballë, e miqësisë së fortë dhe e sprovës së saj. Në këtë pikë që flasim, teknologjinë e shoh thjesht si mjet për të bërë të njohur çka bëj profesionalisht dhe për hir të kënaqësisë së të ndarjes me të tjerë. Por miqësia i ka rrënjët më të lashta se teknologjia dhe janë rrënjë reale, jo virtuale.
Nuk kishte si të mungonte në këtë libër edhe lidhja juaj me fluturimin. Prej disa vitesh ju jeni Drejtoreshë e Komunikimit në Tirana International Airport. Është prekëse ndërsa ti kujton momentin kur një pilot erdhi të shikonte avionin MIG me të cilin kishte fluturuar për 15 vite e sot kërkonte të mbante familjen me bukë. Dhe diku ti shkruan: “Qielli i kishte dhënë lirinë. Toka ja kishte marrë”. Në fakt përtej këtij rasti që meriton të jetë brenda vëmendjes së gjithsecilit prej nesh, kush është rasti tjetër që të ka prekur më shumë gjatë punës suaj në TIA…
Unë punoj prej dhjetë vitesh në aeroport. Ky është vend ku kalojnë shumë njerëz, bashkë me emocionet, dhimbjet dhe gëzimet e tyre. Me prekin shumë njerëzit që ikin të kurohen, disa janë të fuqishëm, ecin vetë me një valixhe të vogël në dorë….por kur kthehen pas një apo dy muajsh, i shoh në karrige me rrota, të zbehtë dhe shumë të dobët, për të mos u ngritur më. Këto janë momentet që më prekin, kur mendoj sa pak kujdesemi që të merremi me gjëra ia vlejnë, sa pak kujdesemi ta vlerësojmë jetën dhe të jemi të vëmendshëm ndaj të mirave që na ofron ajo.
Fair Play! “Një miku juaj i thoshte së shoqes se ishte shumë bukuroshe. Ajo në fakt ishte një njeri i mrekullueshëm, por për nga bukuria, ishte më të mirë të heshtje, shkruan. Çfarë raporti kemi ne shqiptarët sot me Fair Play-n, me kompromisin, me të gënjeshtërtën. Ju punoni në një staf kryesisht me të huaj. Dhe arrini të një dallim midis fair play të shqiptarëve dhe atyre të huaj….
Ndershmëria më e madhe është ndershmëria me veten. Kësaj i mëshoj fort, edhe pse e di se mund të jetë jashtë mode. Por nuk marr përsipër të gjykoj asnjë, sepse çdokush e di dhe e njeh zemrën e vet dhe vendos vetë nëse do ta mbajë të vogël apo vendos që ta hapë. Unë kam zgjedhur të dytën sepse kështu jam rritur, e kjo më pëlqen. Sigurisht, është rruga më e vështirë, sepse asgjë nuk të falet kur nuk je pjesë e një kompromisi. Por hapat që bëj janë hapa të vegjël, janë hapat e mi, të sigurtë, të drejtë, peshojnë dhe nuk kanë asnjë shans që të kthehen mbrapsht. E vlerësoj lirinë personale dhe shpirtërore pafundësisht, ndaj dhe e vëzhgoj dhe i shkruaj kur mundem.
Ndërsa kategorizimi mes shqiptarëve dhe të huajve, është i panevojshëm në këtë pikë. Ne jetojmë në një vend ende të parregulluar ku ligji zbatohet jo për të gjithë njësoj. Është e vështirë të trumbetosh parimet e të huajve dhe ato tonat. Sigurisht që puna me të huaj, dallon për nga kultura dhe respekti me të cilën trajtohet profesionisti.
Në librin tuaj ju ndaleni gjatë te raportet e njeriut me vetveten por me edhe me të tjerët. Ju aty përmendni në dy përjetime Goldin, qenin besnik të familjes suaj, që sa herë del shëtitje tërheq më shumë vëmendje se vetë silueta juaj në një ditë të zakonshme po te të njëjtët njerëz. Ju e quani Fuqia e Goldit…Goldi shet do të thosha unë në zhargonin mediatik të ditëve të sotme…Dhe këtu ju shtroni pyetjen: Njeriu e zbut kafshën apo kafsha njeriun? Të njëjtën përgjigje që do ta kërkoja edhe nga ju si autore….
Kam parë njerëz që transformohen kur përkëdhelin kafshët. Dhe është transformim i bukur. Mbase njeriu ndjehet i sigurtë me kafshën sepse nuk ka rrezik thyerje zemre apo frikëra që njeriu i shkakton njeriut. Maksimumi qeni kafshon, por njeriu e fal dhe ka raste kur e tregon dhe me humor ngjarjen. Si përfundim, përgjigjen, as unë nuk ta dhashë tamam…. Por di të them se kam parë njerëz që rrinë bukur afër njeriut që duan dhe nuk kishin fare nevojë për qen.
Libri “Çizmet e Verdha” dhe përjetimet e atyshme, janë raporti i gjithseclit prej nesh për ta prekur botën ndryshe. Ashtu në këndvështrimin tonë. Jo pa qëllim në fund të kësaj bisede lashë pak vend të domosdoshëm edhe për autoren e librit. Sa herë ju shikoj ju cilësoj si Zonja Elegante e TIA-s, për mënyrën e të sjellurit dhe për etikën në veshje. Di që keni një afrimitet të admirueshëm edhe për sportin por edhe për botën e motorrave. Në fakt cila është jeta e Arlindës pas punës në TIA dhe cila duhet të jetë pritshmëria jonë në të ardhmen në fushën e botimeve?
E çmoj konsideratën. Përpiqem të merrem me gjëra të dobishme dhe që mund të kontribuojnë për shoqërinë ku jetojmë. Pasionet e mia kanë të njëjtën vlerë me pasionet e çdo njeriu tjetër. Rritem çdo ditë bashkë me to. Kam themeluar një Program Komunikimi që quhet Fit For Future (I stërvitur për të ardhmen) që ka në themel sesione ndërkomunikimi njerëzor, motivimi, këndvështrimi ndryshë të gjërave, bashkëpunimi dhe të menduarit pozitiv. Eshtë një program i suksesshëm mendoj, dhe shumë i vlefshëm për rezultatet që arrihen nga pjesëmarrësit, të cilët në harkun e tre viteve, numërohen diku te 600.
Libri “Çizmet e Verdha” do të ndiqet nga një botim tjetër për të cilin po punoj. Nuk do të desha të rrëfej më gjatë, por gjej rastin të falenderoj të gjithë ata që treguan interes ndaj tij dhe shkrimeve që unë i kam fort për zemër.