Pas darkës së bamirësisë, që pasoi debatin e tretë dhe final mes Donald Trump dhe Hillary Clinton, e ku përplasjet e ashpra u zëvendësuan nga batuta mes tyre, kandidati republikan u rikthye me shpejtësi në pozicionin e vet natyral dhe këtë herë viktimë e sulmeve të tij ishte Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama.
Kandidati republikan akuzoi Obaman se po merret vetëm me fushatë në mbështetje të rivales së tij në zgjedhjet e 8 nëntorit. Ai tha gjithashtu se vetë Michelle në 2007 kishte deklaruar se Hillary Clinton ishte “e papërshtatshme edhe fizikisht” për Shtëpinë e Bardhë, frazë që nga stafi i fushatës së Barack Obamas në atë kohë është deklaruar se nuk i referohej Hillary-t.
“Duket se sa shumë ajo e pëlqen Hillaryn. Por a nuk ishte ajo që ka thënë për herë të parë që ‘nëse nuk je në gjendje që të kujdesesh për familjen tënde, s’mund të kujdesesh për Shtëpinë e Bardhë, apo vendin tënd?!”, deklaroi Trump gjatë një manifestimi me mbështetësit e tij në Karolinën e Veriut.
Ndërkohë, Clinton u ndal në Ohajo ku goditi kundërshtarin në lidhje me deklaratën e bërë ku vinte në dyshim procesin zgjedhor amerikan.
“Ne e dimë mirë ndryshimin mes një demokracie dhe një diktature dhe tranzicioni paqësor i pushtetit është ajo që na dallon nga kjo e fundit. Por Donald Trump refuzoi të deklaronte se do të njohë dhe respektojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Me këtë qëndrim, ai është një kërcënim për demokracinë tonë.