Në valën e debateve që janë hapur pas vizitës së Ramës në Serbi dhe reagimit të kryediplomatit kosovar, Enver Hoxhaj, ka folur një tjetër zyrtar i lartë. Kreu i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se vizita e Ramës në Serbi dhe mesazhi që përçoi nuk e dëmtojnë Kosovën, por përkundrazi ndihmojnë në zhvillimin e saj.
Më poshtë statusi i plotë i Kadri Veselit në facebook
Sot në Shqipëri është datë e shënuar. Në këtë datë, shteti shqiptar nderon kujtimin e Nënë Terezës, bijës sonë të madhe, humanistes më të madhe të njerëzimit në botën bashkëkohore. Le të na shërbej ky moment që të gjithë shqiptarët kudo që jemi të ndihemi edhe më afër njëri tjetrit. Raportet e Kosovës me Shqipërinë janë raporte vëllazërore. Janë shembull se si duhet të ndërtohen raportet mes shteteve dhe popujve në të gjithë rajonin tonë. Zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve në mes Shqipërisë dhe Serbisë është një vlerë më shumë në rrugën rajonale të integrimeve euro-atlantike. Kosova nuk humbet asgjë nga ky zhvillim. Përkundrazi, përfiton edhe më shumë, ngase po ndërtohet një klimë e përgjithshme e komunikimit dhe dialogut rajonal. Është në interesin e Kosovës që Shqipëria të flas dhe përçoj zërin e Kosovës kudo ku ne ende nuk arrijmë të kemi përfaqësim institucional. Sot, si kurrë më parë, me Shqipërinë duhet të kemi debat për marrëdhëniet ekonomike, e jo debat simbolesh. Është koha për ekonomi, jo për histori e romantizëm.