Qeveria shqiptare përfshihet në një tjetër skandal mashtrimi që ka të bëjë veç të tjerash edhe me raportim të dhënash të pavërteta në Kuvendin e Shqipërisë.
Më datën 14 Korrik 2016, Këshilli i Ministrave depozitoi në Kuvend (me procedurë të përshpejtuar), kërkesën për çeljen e negociatave me një kompani angleze të quajtur “Star Bridge Port Development Ltd”.
Sipas qeverisë, kompania angleze kishte premtuar se do të investonte 5 miliardë dollarë në Karpen të Kavajës për të ndërtuar një ndër portet më të mëdha në Evropë.
Por portali investigativ ‘Hashtag” ka zbuluar se kompania angleze që mburr ministrja Konomi dhe qeveria, në fakt është shitur e gjitha në Singapor.
Dhe shitja ka ndodhur më datën 24 Qershor 2016, pra shitja ka ndodhur në kohën kur burokratët e kryeministrisë po hartonin propozimin për Kuvendin.
Kompania angleze kërkon të marrë me koncension 1700 hektarë tokë në zonën bregdetare të Karpenit në Kavajë, për të zhvilluar projektin e saj.
Sipas qeverisë, kjo kompani ka lidhur marrëveshje me disa korporata të njohura ndërkombëtare që kanë kapacitete financiare dhe përvojë në ndërtimin e veprave të mëdha industriale.
Por ky projekt nisi të shfaqë problemet e para që me raportimin e ministres Ekonomi në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese.
Procesverbali i kësaj mbledhje zbulon se disa deputetë e pyetën ministren se si shpjegohej që kompania “Star Bridge Port Development Ltd” kishte të deklaruar në Londër një kapital prej vetëm 100 paund.
Shpjegimi i znj. Ekonomi ishte tepër interesant, sipas saj, duke qenë se kjo ishte një kompani investimesh, ndodhte shpesh që portofoli i kompanisë mbushej me miliarda, e më pas boshatisej.
Relacioni i qeverisë por dhe raportimi i ministres Ekonomi, vinte theksin tek fakti se kompania aplikante ishte angleze, ndonëse me vetëm 100 paund kapital.
Verifikimi i HashtagAL në lidhje me poseduesit e kësaj kompanie, zbuloi se kompania angleze që mburr ministrja dhe qeveria, në fakt është shitur e gjitha në Singapor.
Dhe shitja ka ndodhur më datën 24 Qershor 2016, pra shitja ka ndodhur në kohën kur burokratët e kryeministrisë po hartonin propozimin për Kuvendin.
Deri më datën 24 Qershor 2016, pronarë të kompanisë “Star Bridge Port Development Ltd” rezultonin dy shtetas anglezë, zotërinjtë Mark Edëard dhe Ëilliam Beckett.
Por regjistri tregtar në Londër zbuloi se ndërsa kjo kompani kishte gjetur mbështetjen e qeverisë Rama për projektin, menjëherë në lojë ka hyrë një kompani fantazmë, e cila quhet “One Gate Asia PTE LTD”.
Kjo e fundit rezulton se ka blerë 100% të aksioneve nga dy shtetasit anglezë më datën 24 Qershor 2016.
Kompania blerëse rezulton e regjistruar në parajsën fiskale të Singaporit, çka do të thotë se është e pamundur të diktosh pronarët e saj të vërtetë, çka do të thotë se qeveria ka hyrë në një negociatë të rëndësishme me persona krejt të paidentifikuar, të panjohur(mund të jenë dhe ministra aksionarët e kompanisë në Singapor) dhe ja ka fshehur Kuvendit këtë fakt.
HashtagAL ju drejtua zyrtarisht Ministrisë së Ekonomisë në lidhje me këtë fakt duke i drejtuar këto pyetje:
-Mbi ç’bazë ministrja Ekonomi deklaroi në Kuvend se kompania aplikante është angleze?
-A ka kryer verifikime ministria?
-A ka dijeni ministria për transferimin e aksioneve të kësaj kompanie në muajin e fundit?
Përgjigja e ardhur zyrtarisht nga Ministria e Ekonomisë ishte kjo:
“Pa parë dokumentin përmes të cilit ju pretendoni për shitje aksionesh, është e pamundur t’i japim një përgjigje kërkesës tuaj” .
Dokumenti që publikon sot HashtagAL është gjurma që orienton se shitja e kompanisë është bërë më datën 24 Qershor, ndërsa transferimi i aksioneve është regjistruar zyrtarisht në regjistrin londinez më datën 5 Korrik.
Përtej megalomanisë së projektit, që sipas qeverisë tonë do e bëjë portin e Kavajës edhe më të rëndësishëm se ai i Roterdamit, transferimi i aksioneve të kompanisë angleze drejt një kompanie misterioze ‘offshore’ është një akt i fshehur nga qeveria dhe që rrëzon automatikisht pretendimet se kemi të bëjmë me investitorë anglezë.
Rezulton se kompania aplikante ka pronarë misteriozë, të padiktueshëm, të regjistruar në Singapor dhe qeveria e ka mashtruar Kuvendin kur ka i thënë se pranë saj u interesuan investitorë anglezë.
Habjon Hasani/ HashtagAL