Arrestohet banda italoshqiptare e grabitësve, në akuzë për grabitjen e një të moshuare 84vjeçare në Itali, pasi kishin mësuar se kishte fituar lotarinë
Mediat italiane raportojnë se gruaja Mariangela Prandi, 84vjeç ishte e varfër dhe mezi arrinte të nxirrte fundin e muajit, shumë herë e ndihmuar nga fqinjët e saj, që duket se e donin. Por, në 21 qershor të 2015 rreth pasdites u gjet e pajetë në banesën e saj.
Ishin fqinjët që duke i ndjerë mungesën nisën të shqetësohen dhe njoftuan policinë dhe fill pas kësaj nisën edhe hetimet. Dyshimet për grabitje ishin të mbushura me mister nga fakti se gruaja ishte e varfër dhe këtë e dinin të gjithë. Por pas dëshmive, doli në dritë një festë modeste që gruaja do bënte me fqinjët, pasi kishte fituar lotarinë, plot 4300 euro. Ajo do shtronte një darkë me 18 persona, pikërisht ata që i ishin gjendur në ditët e saj të vështira.
Por dy persona me precedentë penale pasi ishin informuar për paratë që kishte fituar e moshuara organizohen dhe porositin bandën e tre shqiptarëve të specializuar në grabitje. Ata i futen në banesë të moshuarës, e lidhin me nastro, grabisin cfarë mundin dhe do largoheshin. Gruaja arrin të heqë fashën që i kishin vënë dhe tenton t’i ndjekë grabitësit, por pëson një infarkt dhe vdes.
Vetëm sot, pas shumë hetimesh policia ka mundur të arrestojë dy shqiptarët, Pashk Pjetri 25vjec dhe Zef Ndreca, 24vjec. Në pranga u vunë edhe dy italiane, Giuseppe Annacarato, 33vjec dhe Cristiano Quaglia, 38vjec, ndërkohë që një tjetër mbetet në kërkim.