Nga Edi Rama*
Në 10 vjet të drejtimit të kësaj partie të madhe politike kam mësuar shumë për vendin, për veten, për pushtetin dhe për ndryshimin. Kam pasur mundësinë e rrallë të njoh më mirë dhe të kuptoj më thellë Shqipërinë, cilësitë dhe kufizimet e mia, forcën dhe dobësinë e pushtetit, kompleksitetin e jashtëzakonshëm të rrugës së ndryshimit.
Kam pasur po ashtu fatin të njoh shumë njerëz, të dëgjoj shumë dhe të mësoj shumë prej eksperiencave të larmishme të marrëdhënieve me ta.
Me siguri, në drejtimin e çdo partie, sado e madhe apo e vogël, mëson nga të gjitha këto, por s’kam dyshim që asnjë parti shqiptare nuk mund të jetë për një lider apo një aktivist politik, një shkollë aq e lartë jete dhe politike saç është Partia Socialiste e Shqipërisë.
Partia Socialiste është një shkollë e ngritur mbi parimin se askush nuk mund të ketë të drejtë për çdo gjë dhe gjithmonë.
Këtu kam mësuar se, pavarësisht sa i rëndësishëm është pozicioni që ke, pavarësisht sa i fuqishëm mendojnë të tjerët se ti je, ti vetëm mund të arrish shumë pak dhe jo gjithnjë, ajo që mund të arrish është një e mirë e përbashkët.
Kam mësuar po ashtu, se aftësia për të konstatuar problemet dhe projektimi i zgjidhjeve të tyre në letër janë krejt të pamjaftueshme për ta ndryshuar realitetin. Sapo nis përballja me një sfidë, fillon dhe futja në baltën thithëse të realitetit që kërkon të ndryshosh.
Këtë me siguri e mësojnë të gjithë ata që kanë privilegjin të drejtojnë një qeveri. Po në drejtimin e një qeveri të Partisë Socialiste, ky është një mësim që merret më kollaj, për mirë, por edhe për keq, sepse këtu përjetohen më shumë se gjetkë, nga shumë më tepër njerëz se kudo tjetër, shqetësimet, nga më të ndryshmet, që sjellin tek njerëzit apo komunitete përpjekjet reale për ndryshim.
Këtu kam mësuar se edhe atëherë kur nevoja për ndryshim është e qartë për të gjithë, rruga e ndryshimit shpesh i ndan, i inatos, i turbullon njerëzit. Ashtu siç kam mësuar se nganjëherë s’ka asnjë mundësi të ndalosh për t’i bashkuar, qetësuar, kthjelluar, sepse rrezikon të humbasësh rrugën.
Kam mësuar se kryeministër nuk të bën karrigia dhe nuk mjafton të ulesh në karrigen e kryeministrit dhe të japësh urdhra që gjërat që duhen bërë, të bëhen me të vërtetë. Por njëkohësisht kam mësuar se këtë nuk ua mëson dot lehtë, në mos nuk ua mëson dot fare të tjerëve. Që gjërat të bëhen në të vërtetë, duhet të rrish në karrigen e kryeministrit si në një stacion të përkohshëm dhe të jetosh problemet e vendit e të njerëzve në një tension të përhershëm. Nëse je i gatshëm ta bësh këtë, Partia Socialiste, – që nuk rri asnjëherë rehat dhe nuk lë askënd rehat, – është shtytja e duhur në drejtimin e duhur!
Këtu kam mësuar se ndryshimet e rëndësishme bëhen jo thjesht kur jemi të qartë, por vetëm kur jemi të sigurt; Jo thjesht kur duam t’i bëjmë, por vetëm kur jemi të vendosur t’i bëjmë; mbi të gjitha, jo thjesht duke dëgjuar njerëzit, por duke udhëhequr në harmoni me instinktin e tyre të ndryshimit. Sa herë e bëjmë këtë, po aq herë jemi në rrugën e suksesit. Gabojmë përgjithësisht kur nuk ia dalim ta bëjmë këtë.
Kam mësuar ta besoj gjithnjë e më shumë dhuntinë e njerëzve të zakonshëm, për të dëgjuar atë që duhet, në zhurmën e madhe të politikës të ditës dhe aftësinë e shumicës të tyre për ta ndjerë pagabueshmërisht se çfarë duhet të besojnë dhe për ta kuptuar kë duhet të mbështesin.
Njerëzit e kuptuan në vitin 2013 se ndryshimi vinte përmes nesh. Edhe sepse zgjedhja tjetër ishte rrënim i mëtejshëm.
Por dhe më kuptimplotë ishte viti 2015, kur në kulmin e reformave të dhimbshme, ata kuptuan se përmes nesh kalonte e vetmja rrugë, për të ecur më tutje drejt ndryshimit.
Sot, ata kërkojnë me të drejtë më shumë nga ne, por jam i bindur se e kuptojnë ende më mirë se 3 vjet më parë, pse rrugën drejt ndryshimit e garanton vetëm forca jonë udhëheqëse.
Me ndihmën e kundërshtarëve tanë, po rritet numri i njerëzve që e kupton këtë, sepse nevoja jetike për reformën në drejtësi ua tregon të gjithëve më së miri, kush është kush në udhëkryqin historik ku ndodhemi. Kush është kush sot dhe për sot dhe sot dhe për nesër.
Le ta kthejmë pak kokën më tutje në historinë e këtyre 25 viteve. Cila forcë tjetër politike ka qenë më konsekuente sesa Partia Socialiste në mbrojtjen e interesit kombëtar?
Përgjigja për ma është e qartë: Asnjë forcë politike nuk e ka pasur konsekuencën e kësaj partie në mbrojtje të interesit kombëtar.
Gjërat që kam mësuar në këto 10 vjet, sidomos ato që kam mësuar në afër 3 vitet e detyrës sime si kryeministër, më ndihmojnë ta vlerësoj gjithmonë e më shumë, nderin e të qenit kryetar i kësaj partie, sepse më ndihmojnë ta kuptoj gjithmonë e më mirë vështirësinë dhe sakrificën e rrugëtimit të socialistëve në politikën shqiptare, qysh nga dita e parë e lindjes së Partisë Socialiste, por edhe ta lexoj gjithnjë e më qartë, rolin madhor të partisë sonë në historinë e Shqipërisë së këtyre 25 viteve.
Çdo ditë që kalon e bën më të thellë brenda meje ndjenjën e mirënjohjes për nderin që më është bërë dhe më të fortë bindjen se deri ditën e fundit në detyrë duhet të jap gjithçka kam, për ta bërë këtë vend dhe këtë parti më të mirë për njerëzit tanë.
Ama e di që nuk duket gjithmonë kështu siç them. Nga njëra anë, njerëzit në përgjithësi ndodh që të më shohin në një samit apo në një tribunë kampionati europian, në një ceremoni apo në një aktivitet diku, apo në një hyrje-dalje te oborri i kësaj godine, i veshur dhe i qeshur dhe mund të mendojë, a ka dëshirë ky njeri të mendojë për hallet tona?
Nga ana tjetër, plot socialistë në veçanti që me ndjekin nga larg, ndërkohë që rreth tyre apo në shtëpinë e tyre, gjërat nuk shkojnë siç mund ta kenë menduar në mbrëmjen e 23 qershorit të 2013-ës, mund të mendojnë, a do i bjerë ndonjëherë ndërmend këtij njeriu, për mua?
Unë nuk i vë faj askujt që mund të mendojë kështu. Nuk i vë faj askujt, po ashtu, që mund të mendojë se unë nuk kam bërë gjënë e duhur për të, apo për komunitetin ku ai jeton. As kujtdo qoftë që mendon se për fajin tim nuk ndihet mirë personalisht, nuk ka punën që i takon e me radhë, unë nuk i vë faj.
Por cilido qoftë vendi dhe rrethanat ku ndodhem, unë nuk e harroj kurrë se për kë punoj, kujt i shërbej dhe sesa shumë kemi ende për të bërë, që të sigurohemi se reformat nuk do mbeten në mes dhe ky vend nuk mund të kthehet më mbrapa.
Këtu kam mësuar se politika në nivelin më të lartë nuk rrjedh aspak fjollë, madje sa më lartë të ngjitesh, aq më me vështirësi rrjedh. Të bie të merresh me pasoja ngjarjesh dhe sjelljesh të paparashikuara, nuk mund t’i kënaqesh të gjithë gjatë gjithë kohës, aq më tepër pastaj, që ka ca njerëz që nuk mund t’i kënaqësh kurrë, në çfarëdo kohe.
Ta dish këtë gjë, ta mësosh duke dëgjuar, është një gjë, por ta mësosh duke kryer detyrën e kryetarit të Partisë Socialiste dhe të Kryeministrit të qeverisë socialiste, ma besoni është një gjë komplet tjetër. Por kam mësuar gjithashtu se shumica e njerëzve janë të qartë dhe na mbështesin. Për aq kohë sa ne jemi të vendosur dhe gabimet tona nuk janë të qëllimshme.
Këtu kam mësuar se sa më të zakonshëm të jenë njerëzit, aq më mirë ata e kuptojnë se çfarë pune është kjo dhe aq më të prirur janë për të treguar durim ndërkohë. Por sigurisht kanë të drejtë të kërkojnë të dinë në vijimësi që në gjërat që bëjmë, unë jam i fokusuar me mish e me shpirt tek shpresat e tyre; qeveria jonë është e fokusuar seriozisht tek shqetësimet e tyre; Deputetët tanë janë të fokusuar vazhdimisht tek çështjet që kanë rëndësi për ta, për njerëzit.
Është momenti për t’i falënderuar të gjithë deputetët që janë në lartësinë e këtij prioriteti themelor dhe të gjithë përfaqësuesit tanë në çdo nivel, që po ashtu janë në lartësinë e këtij prioriteti themelor.
Me keqardhje është momenti për të kërkuar ndjesë për ndonjë që ndodh jo thjesht ta harrojë, por ta shkelmojë publikisht këtë prioritet. Por njëkohësisht është momenti për të nënvizuar se sa shumë mëson në shkollën e Partisë Socialiste për vlerën morale, rëndësinë politike dhe peshën shpirtërore të përpjekjes për mirëkuptim, edhe aty ku duket se vetëm mirëkuptim nuk mund të ketë.
Shumë gjëra kanë ndryshuar në vendin tonë dhe ndryshimi më i madh është baza që përmes reformave po hedhim për të bërë shtet, për të vendosur ligjshmërinë, për të ndërtuar themele të qëndrueshme në çdo sektor. Por është vetëm një bazë dhe nuk është vetë shteti, vetë ligjshmëria dhe vetë themeli i qëndrueshëm në çdo sektor. Ka ende shumë për të bërë.
Ne s’jemi të përsosur. Ne kemi bërë gabimet tona, por në shumë drejtime, ky vend, falë nesh, po ndryshon për mirë.
Kam mësuar të kuptoj edhe pse plot njerëz të thjeshtë që janë të mërzitur, ashtu siç kam mësuar të kuptoj, edhe pse ka pasur gjithnjë në këtë parti dhe do të ketë, besoj, gjithmonë, siç ka pasur qysh ditën e parë, njerëz që bëjnë të mërziturin, çuditërisht apo aspak çuditërisht, në mënyrë të veçantë kur janë respektuar posaçërisht nga kjo parti dhe kanë përfituar më shumë se shumë të tjerë respekt prej saj.
Të parëve ju them, atyre njerëzve të thjeshtë, që në politikë nuk votohet për përsosmërinë, as që ndryshimi i domosdoshëm të vijë sa hap e mbyll sytë. Kush voton me këtë mendje, është i dënuar të mërzitët qysh të nesërmen e zgjedhjeve. Votohet për të zgjidhur midis partish që konkurrojnë, midis filozofish e programesh që konkurrojnë, midis njerëzish, të gjetur mes njerëzve, që konkurrojnë me njëri-tjetrin. Votohet për ta bërë vendin dhe botën një vend më të mirë, jo për ta kthyer brenda një natë, brenda një mandati, apo sa të doni, në më të mirin vend të botës.
Ndërsa të dytëve, këtyre që bëjnë të mërziturin, u them se në Partinë Socialiste ka vend për të gjithë, por secili duhet ta meritojë dhe jo ta harrojë vendin që ka.
25 vjet janë shumë pak për një parti historike europiane, por janë shumë për të kuptuar sesi do të jetë e ardhmja jonë, nëse mësojnë sa duhet dhe si duhet nga vitet që shkuan qyshkur kjo parti u krijua.
Unë nuk e di nëse kam mësuar sa duhet dhe si duhet, por di që kam mësuar shumë dhe nëse më pyesni mua për të ardhmen, ju them pa asnjë ngurrim, është e gjitha në dorën tonë, mjafton që të jemi jo thjesht të qartë, por plotësisht të sigurt, jo thjesht të duam ta shkruajmë të ardhmen tonë vetë, por plotësisht të vendosur t’i bëjë detyrat që na imponon e ardhmja.
Mbi të gjitha, jo thjeshtë duke dëgjuar njëri-tjetrin, por duke udhëhequr në harmoni me instinktin e ndryshimit të popullit, të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, që janë arsyeja pse ne jemi dhe do të mbetemi forca e parë dhe forca udhëheqëse në këtë vend. Kush mendon se mund të flasë në emër të tyre dhe të devijojë rrugën e aspiratave të tyre në shtegun e lojës së mërzisë së vet e ka thjesht çështje kohe, për të marrë përgjigjen e merituar nga njerëzit.
Faleminderit të gjithë të ftuarve tanë, të pranishëm në këtë festë familjare, të gjithë drejtuesve të partive aleate, të partive në tundimin për t’u bërë aleate, apo të partive që as i duam për aleate, e kam fjalën këtu për Tritan Shehun. Tritan, mirë se ke ardhur, por aleat me ju, ne nuk duam të bëhemi.
Faleminderit të gjithë themeluesve, jo të kësaj partie, por të kësaj shkolle të madhe jete dhe politike, që është Partia Socialiste, të pranishëm ose jo këtu sonte. Për ata që kanë themeluar Patinë Socialiste ka pak rëndësi, nëse janë ose jo të pranishëm fizikisht, sepse kjo shkollë jete dhe politike është në dispozicion të gjithmonë e më shumë njerëzve. Falë tyre!
Faleminderit edhe të gjitha grave e vajzave që janë këtu, të pranueshme dhe që janë gjithnjë e më shumë një forcë përcaktuese në ekuilibrat e brendshëm shoqërore dhe vendimmarrës të kësaj partie.
Faleminderit të gjithë burrave dhe djemve që kontribuojnë në çdo nivel dhe e furnizojnë partinë tonë çdo ditë me energji të reja.
Faleminderit veteranëve, pasardhësve të tyre dhe përfaqësuesve të familjeve të dëshmorëve, këtu të pranishëm, që e kanë nderuar dhe e nderojnë gjithmonë këtë oborr, kur marrin mundimin të vijnë dhe të na shtrëngojnë dorën. Për ne, ky është një nder!
*Fjalimi i mbajtur në 25 vjetorin e themelimit të PS