Prokuroria e Matit kërkoi dënimin me 24 vjet burgim për Ermir Skejën, i akuzuar për tentativë vrasje ndaj dy personave në 28 Maj të vitit të kaluar, në zonën e quajtur “Baz”. Skeja plagosi me armë zjarri Libjond Permakun, efektiv i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Mat dhe Vilson Totrakun.
Sipas prokurisë, Skeja ngacmonte bashkëjetuesen e Libjond Permakut. Për shkak të saj, Libjond Permaku dhe Ermir Skeja janë konfliktuar fizikisht, një dhunë e cila gjeneroi deri në përdorimin e armëve nga ana e Skejës.
Ky i fundit, pas sherrit ka qëlluar me një pistoletë, të cilën e mbante pa leje efektivin dhe shokun e tij Vilson Totraku, duke i plagosur me disa plumba në trup. Pas plagosjes, autori Ermir Skeja është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.
Ndërkohë, dy të plagosurit janë marrë me një makinë të rastit, drejtuar nga një kirurg, i cili i ka dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, dy të plagosurit u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale/Klan