Një vajzë 12-vjeçare ndërroi jetë në spitalin e Gjirokastrës pasi nuk mundi t’i rezistojë plagëve të marra pavarësisht ndërhyrjeve të mjekëve. Vajza udhëtonte bashkë me familjen e saj me mbiemrin Lleshi në një autoveturë me targa greke kur u përplasën në kthesë me një autobus që pasagjerë kishte disa studentë nga Tirana.
Nga makina e vogël u plagosën të gjithë pasagjerët, 6 anëtarë të një familje, burrë e grua me 4 fëmijët si dhe shoferi, ndërsa nga autobusi nuk pati asnjë të lënduar.
Të plagosurit e tjerë ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku mësohet gjithashtu se një nga fëmijët e plagosur është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Studentët ishin për ekskursion në Sarandë dhe ktheheshin për në kryeqytet. Ende nuk janë përcaktuar nga policia shkaqet e këtij aksidenti të rëndë./ Ekspress