Vrasësi shqiptar i një çifti të moshuarish në Angli , me datën 3 qershor dyshohet se fshihet në Shqipëri. Gazeta britanike “The Sun” i ka dhënë policisë britanike prova të reja rreth 42-vjeçarit Ali Qazimaj.
Ali Qazimaj, 42-vjeç, është i dyshuari kryesor në vrasjen me thikë të Peter Stuart, 75 vjeç, ndërsa gruaja 69-vjeçare e britanikut, Silvia, rezulton e humbur dhe dyshohet se mund të jetë vrarë nga shqiptari.
Qazimaj, i njohur gjithashtu si Marco Costa, ka vjedhur identitetin e vërtetë të një shtetasi kosovar.
Shqiptari ka një pasaportë britanike, të përfituar pasi kishte deklaruar se kishte ikur nga Kosova e shkatërruar nga lufta, kur ai mbërriti 15 vite më parë në Britani.
Të shtunën gazetarët e “The Sun” i kanë dorëzuar Policisë së Shtetit në Shqipëri një copë letër me një numër celulari shqiptar, lidhur me të dyshuarit. Letra u gjet nga një shok i tij dhe përmban detajet e një toke në shitje në afërsi të aeroportit të Rinasit në Tiranë.
Një zyrtar i policisë shqiptare u ka thënë gazetarëve të “The Sun” se po bashkëpunohet me autoritetet britanike.
Qazimaj ka qenë në Shqipëri në vitin 2013 duke përdorur pasaportën e tij britanike.
Ai mendohet të ketë lidhje kriminale në periferi të Tiranës, në Kamzës dhe policia shqiptare këshilloi gazetarët e “The Sun”, që të mos kryejnë më hulumtime për shkak se siguria e tyre mund të cënohej.