Bekim Balaj, sulmuesi i Kombëtares dhe tashmë edhe i Terek Groznit, flet fjlatë e para për transferimin e tij në ekipin çeçen ku më parë ka luajtur edhe portieri Ilion Lika.
Në intervistën e publikuar në “Panorama Sport”, Balaj nuk zbulon detaje të kontratës së tij, madje ja lë si detyrë medias ta bëje diçka të tillë.
Shkodrani tregon se kishte ditë që klubi çeçen interesohej dhe kalimin në elitën e futbollit rus ai e sheh një hap të madh, ndërkohë që edhe oferta ishte e parefuzueshme.
“Të kalosh nga kampionati kroat në atë rus është një hap i madh për mua. Pas një viti e gjysmë ishte koha që të provoja një eksperiencë të re. Meqe m’u dha mundësia, nuk hezitova. Kushtet e ofruara ishin shumë të mira”.
Periudhën e kaluar në Kroaci Balaj e konsideron pozitive: “Nuk më pëlqen të flas për veten, por duke shënuar më shumë se 20 gola, them se ka qenë një periudhë pozitive. Tashmë jam i fokusuar te Europiani dhe më pas do mendoj për sfidën e re me skuadrën”.
Balajt i mbetet peng që nuk fitoi një trofe me Rijekën, sidomos sivjet që ishin shumë afër titullit, ndërkohë që vlerëson si periudhën më të mirë te kroatët gjysëm e dytë të sezonit të shkuar ku u aktivizuar rregullisht.
Tashmë shkodrani do të nisë një aventurë të re në kampionatin rus, por te Rijeka lë një mik mjaft të mirë si Roshi, por: “Do ta marr edhe Roshin me vete”, shprehet Balaj duke qeshur në fund të intervistës.