Elvis Rroshi nuk ka qenë i dënuar vetëm në Itali. Fakte të tjera dalin sot në dritë, ndërsa ka nisur në KQZ verifikimi i formularit të vetëdeklarimit të kryetarit të Bashkisë së Kavajës.
Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar nga KQZ material shtesë për Rroshin me arsyetimin se e kaluara e tij në shtetet e tjera ka nevojë për verifikim më të zgjeruar. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Kavajës përfaqësohet në KQZ nga avokati i tij Theodhori Sollaku.
Sipas verifikimit të deritanishëm nga KQZ, Elvis Rroshi rezulton të ketë patur masën e sigurisë arrest me burg në Gjermani në vitin 2002, si dhe i dënuar në Kavajë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.
Ai është arrestuar gjithashtu edhe për veprën penale goditje për shkak të detyrës. Kryetarja e KQZ Lefterie Lleshi u shpreh se Elvis Rroshi mund të japë shpjegime në KQZ, pasi pala që verifikohet duhet të jetë prezente.
Po sot në KQZ verifikohen të dhënat në formuarin e Artur Bushit, kryetarit të bashkisë së Krujës.