Amir Abrashi, mesfushori i Frajburgut dhe Kombëtares doli sot në konferencë për shtyp ku ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm. Ai deklaroi aty se prej dy javësh nuk komunikon me lojtarët shqiptarë të Zvicrës dhe kjo do të ndodhë deri pas ndeshjes, ndërkohë që thekson se gjendja e tij është e mirë dhe nuk ka më probleme me shpatullën.
I pyetur për Zvicrën ai deklaroi: “Zvicra ka ekip të mirë, me individualitete, që luajnë me klube të mira. Edhe ne kemi lojtarë të mirë. Pika jonë e fortë është grupi, Nëse japim më të mirën, besojmë në rezultat pozitiv”.Për Abrashin është e rëndësishme ta nisin me rezultat pozitiv: “Duhet ta nisim me rezultat pozitiv pasi do na jepte me shumë forcë për në vazhdim”.
Mesfushori shtatshkurtër ka besuar se një ditë Shqipëria do të bënte një arritje të tillë si pjesëmarrja në Europian: “E kam ditur që do të vinte diçka e madhe, por nuk e mendoja kaq shpejt kualifikimin në Europian”.
Në fund Abrashi tregoi se fakti që luajnë në skuadra të ndryshme nuk i pengon ata të kordinohen në momentin që mblidhen te Kombëtarja, pasi të gjithë janë të përqëndruar për të dhënë më të mirën.