Zgjerimi i hartës së zonave të prekura nga kultivimi i kanabisit shikohet shqetësim nga Prokuroria
Organi qendror i Akuzës u ka shpërndarë së fundi prokurorive në rrethe në një qarkore, ku kërkohet të tregohet kujdes i veçantë ndaj kultivimit të drogës.
Në qarkore thuhet se, përveç qarqeve të Vlorës, Fierit, Gjirokastrës e Shkodrës ku kultivohej kanabis më parë, tani harta e parcelave është zgjeruar. Referuar sekuestrimeve të përditshme nga policia, por edhe informacioneve të siguruara gjatë hetimit të grupeve të ndryshme kriminale, Prokuroria vë në dukje se fenomeni është rritur dukshëm jo vetëm në sipërfaqen gjeografike.
Një fakt shqetësues është se krahas përqendrimit të luftës së policisë ndaj parcelave të mbjella me kanabis, teknikat e kultivimit të lëndës narkotike kanë ndryshuar. Ato janë bërë më të fshehta, më të sofistikuara dhe më të vështira për t’u zbuluar.
“Pavarësisht veprimtarisë në rritje të institucioneve ligjzbatuese, në luftën kundër fenomenit të kultivimit të lëndëve narkotike, në vitet e fundit është vërejtur tendenca për ta shtrirë këtë veprimtari të paligjshme në të gjithë territorin e vendit”, citohet në qarkore, sipas burimeve të Prokurorisë.
Aty shprehet shqetësimi se, pavarësisht qindra rasteve të kultivimit, nuk ka asnjë të akuzuar apo të dënuar, pasi parcelat janë në tokë publike ose në tokë pa pronar të qartë.
QARKORJA
Në dokumentin që u është dërguar prokurorive në rrethe “vlerësohet puna e organeve ligjzbatuese në luftën kundër këtij fenomeni, por vihet re me shqetësim se tendenca për kultivimin e drogës është shtrirë në të gjithë vendin”. Në qarkore nënvizohet se në pjesën më të madhe të rasteve, kultivuesit e bimëve narkotike kanë shfrytëzuar sipërfaqe toke që janë në pronësi publike apo të ishkomunave, kryesisht pyje e kullota apo pranë burimeve të ujit dhe larg qendrave të banuara. Më tej në dokument theksohet se kohët e fundit është vërejtur tendenca e kultivimit të bimëve edhe në ambiente të mbyllura si tunele magazina dhe ndërtesa të vjetra apo edhe serra ku për rritjen e drogës përdoret energjia elektrike.
“Në disa raste janë improvizuar edhe laboratorë me përdorim të energjisë elektrike”, theksohet në qarkore. Dokumenti i Prokurorisë ka marrë shkas nga një shkresë që organit të Akuzës i ka mbërritur nga Policia e Shtetit në datën 31 mars 2016, ku kërkohet bashkëpunim i të gjithë strukturave të Prokurorisë për goditjen e aktivitetit të kultivimit të bimëve narkotike. Qarkorja ka për synim që të nxisë prokuroritë e rretheve që të iniciojnë hetime me qëllim identifikimin e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike dhe ndjekjen penal të autorëve.
Po kështu, sipas burimeve nga organi i Akuzës, përmes qarkores kërkohet që metodika e punës hetimore ndaj këtij fenomeni të mbështetet edhe në ndryshimet që ka pësuar veprimtaria kriminale në terren, duke mos u mjaftuar vetëm me procedurat formale të deritanishme./ Trazhgim Sokolaj Panorama.al