Koncesionet e dhëna për toka bujqësore në zona të ndryshme të vendit do të anulohen dhe toka do t’u jepet me prioritet fermerëve të zonave ku ndodhen këto toka. Kjo është deklaruar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në bashkëbisedim me fermer të fshatrave Zagorçan dhe Baçallëk.
Sipas PD-së, fermerët u ankuan se qeveria nuk ka dhënë asnjë subvencion dhe asnjë ndihmë për ta.
“Vitin tonë të parë në qeverinë e ardhshme do të ketë 100 milionë dollarë subvencione për 200 mijë familje fermerë në të gjithë Shqipërinë. Që do të thotë se do të shkojë paraja siç bëhet ujitja me pikim ashtu do të vijë subvencioni edhe në çdo familje fermere. Nuk do t’iu kërkojnë as NIPT, as sigurime. Mbajeni mend këto që them, se sot ua them si kryetar opozite, nesër do të vij të ballafaqohem me ju si kryeministër me këto që iu them. Paratë ekzistojnë, por në vend që të vijnë tek ju, shpërdorohen nga një grusht qeveritarësh në Tiranë”, tha Basha.
Kreu i PD-së u takua dhe me banorët të fshatit Beragozhdë, ku pak muaj më parë 30 persona u plagosën nga shpërthimi i një bombule gazi. Ndonëse të paaftë për punë, ata sot janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria dhe nuk u është dhe asnjë ndihmë as financiare dhe as në medikamente. Zoti Basha ka premtuar se qeveria e drejtuar prej tij përmes një vendimi të posaçëm qeverie do t’u japë KEMP të lënduarve.
Një takim të veçantë zoti Basha zhvilloi edhe me të rinjtë e Pogradecit. Garantimi i votës së lirë është deklaruar nga Lulzim Basha si beteja më e rëndësishme e Partisë Demokratike dhe Shqipërisë. E ka nisur me partinë që drejton duke zgjedhur drejtuesit e Forumit Rinor me votë e do ta vazhdojë edhe në përzgjedhjen e 49 kandidatëve të rinj për deputet në Kuvendin e Shqipërisë.