I dyshuari për shpërthimin e tritolit të telekomanduar në farmacinë e babait të ministri Saimir Tahiri, Vladimir Gjuta është liruar sot nga burgu i Elbasanit, ku qëndronte prej muajsh. Lirimi vjen pas vendimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pushoi procedimin penal ndaj shtetasve Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka, të dyshuar për veprat penale të “Veprave me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.
Këta shtetas, së bashku me disa të tjerë, për të cilët janë pushuar hetimet më parë, kanë qenë të dyshuar si autorë të shpërthimit të tritolit të telekomanduar në biznesin “Farmaci” të Bashkim Tahirit, si edhe vendosjen e lëndës plasëse pranë një stacioni autobusi në zonën pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë, ngjarje të ndodhur duke gdhirë data 10.02.2015.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetimin ndaj personave të dyshuar, nën masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi, nga materialet paraprake dyshohej se mund të ishin autorët e këtyre ngjarjeve. Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh procedurale, përfshirë edhe ekspertiza të specializuara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në përfundim të të cilave nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte që të provonin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të mësipërme. Ndërkohë sipas vendimit të gjykatës së Elbasanit, Vladimir Gjuta është dënuar 7 muaj e 20 ditë vetëm për kanosje të gjyqtarit, dënim i cili ka hyrë në fuqi që prej ditës së arrestimit të Gjutës më 20 nëntor të 2015./balkanweb