Spartak Ngjela e vlerëson si mjaft pozitive nënshkrimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe FBI-së, e cila u firmos pak ditë më parë.
Sipas Ngjelës, hetimi i korrupsionit dhe krimit nga një organ ndërkombëtar i specializuar do t’i japë fund epokës së neopunizmit.
Pavarësisht se ish-deputeti thekson se do të ketë përpjekje për sabotim të brendshëm, Ngjela thotë se procesi do të vijojë dhe se këtë javë do të jepen shenjat e para.
Spartak Ngjela
Jemi në një situatë, e cila në histori do te hyjë me këtë gjykim: shqiptarët, pas diktaturës puniste, si terrorizëm shtetëror, u pushtuan shoqërisht nga neopunistët, si dhunim moral antiprogres.
Pse, a nuk është neopunuzëm momenti kur një bandë vjedhacakësh, me metoda puniste, dhunon votën pasi ka dhunuar më parë shtetin me anë të korrupsionit të përgjithshëm?
Pse, a nuk ishte vetë punizmi dhunimi moral i shtetit qe ky të mos strukturohej me anë të votës së lire?
Pse, a nuk eshte i barabartë ekuacioni kur themi se: punizmi dhunonte moralisht shoqërinë për të mbajtur pushtetin me dhunë, dhe kur themi se, neopunuzmi e ka dhunuar moralisht shoqërinë me vjedhjen e tij korruptive, që me këto pará të vjedha të mos lejojë zgjedhje të lira në Shqipëri, dhe të sundojë gjithmonë vete?
Kjo eshte gjendja e deritanishme, por, a do të ndryshoje?
Vetë ne e kishim të pamundur ta ndryshonim, sepse, me këtë “akuzë universale” që dëgjojnë shqiptarët nga secili për secilin politikan, e kanë të pamundur të bashkohen me të drejtën. Kur e vërteta dhunohet përditë nga shpifja, dhe kur shpifja sundon politikën e një vendi, askush nuk mund ta dije se cila është e drejta…
Shqiptarët nuk kanë fare faj pse besuan për një jetë të mirë te njerëz të padrejtë, injorantë dhe të liq që dolën befas si “shpëtimtarë”. Por koha duket se po iu ndih shqiptarëve tani kur ata nuk kanë më forcë për t’u rreshtuar me të drejtën.
E pra, po hetimi i të keqes dhe ligësisë shqiptare nga një organ ndërkombëtar i specializuar, a e shëron këtë gjendje?
Kjo eshte zgjidhja. Prandaj shqiptarët e mirëpritën me optimizëm nënshkrimin e marrëveshjes së qeverisë shqiptare me e FBI-në. E keqja, ligësia shqiptare, krimi dhe korrupsioni do të hetohen nga FBI.
Këtu nis fillimi i fundit të neopunizmit. Prandaj ka sot optimizëm në Shqipëri.
Por, a mund te ketë një sabotim të brendshëm kjo çeshtje? Janë të shumtë ata pushtetarë që janë trembur. Por mendoj se procesi do të vijojë. Kjo javë do të japë shenjat e para…