Ndalimi i Emiljano Shullazit me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda, mesnatën e së shtunës, ishte një surprizë jo vetëm për median, por edhe për zyrtarët e policisë së Shtetit.
Në kohën kur zyrtarë të Policisë së Tiranës shpërndanin “jozyrtarisht” në media se Shullazi do të dilte shumë shpejt nga ambientet policore, pasi ndaj tij nuk kishin prova, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë dorëzuan urdhërin e ndalimit ndaj tij dhe dy miqve të tij, Gilmando Dani dhe Besmir Shullazi.
Pak orë para ndalimit, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në një konferencë të veçantë për median se Shullazi dhe njerëz të tij kishin kërcënuar kandidatit për rektor në Universitetin e Tiranës, Mynyr Koni që të tërhiqej nga gara akademike.
Sipas ish-kryeministrit, kandidati Koni është kërcënuar me jetën e familjarëve që të tërhiqej nga gara, të cilën automatikisht do ta fitonte Klodeta Dibra, kandidatja tjetër, anëtarë e Këshillit Bashkiak të Tiranës nga Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama.
Shullazi, një emër i njohur i botës së “nëntokës” së Tiranës dhe Durrësit, është etiketuar shpesh nga opozita e djathtë si një njeri me precedent penalë, i cili kryen punë të pista për llogari dhe nën mbështetjen e kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Por, denoncimi publik i Berishës se Shullazi ishte përfshirë në kërcënime edhe në fushën universitare, solli një element të panjohur më parë në lidhjet krim-biznes-politikë.
Kjo situatë detyroi Policinë e Tiranës që të niste verifikimet pas publikimit të rastit në deklaratën publike të Berishës.
Mbrëmjen e së shtunës, policia, për të treguar se nuk ka komplekse ndaj askujt që dyshohet për vepra penale, shoqëroi Emiljano Shullazin. Zyrtarisht, policia deklaroi se e gjeti atë në dalje të banesës së tij, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Gjatë shoqërimit, po zyrtarisht, thuhet se ai nuk kishte me vete asnjë send të paligjshëm, madje as telefon celular.
Boldnews.al mësoi nga burime jo zyrtare, por të pranishëm në vendin e ngjarjes, se Shullazi ka qenë duke pritur forcat e Policisë për të realizuar shoqërimin e tij në një lokal në rrugën e Kavajës, zonë e njohur si bastion i tij.
Nga kjo dinamikë krijohet dyshimi se Shullazi është njoftuar paraprakisht nga forcat policore lidhur me mundësinë e shoqërimit të tij për kërcënimet e pretenduara ndaj profesor Konit.
Pas shoqërimit të Shullazit, policia shpërndau mediatikisht se kishte marrë në ambientet e saj për ta pyetur lidhur me sa kishte deklaruar Berisha. Natyrisht, Shullazi ka mohuar gjithçka, duke deklaruar me detaje se ku ka qenë gjatë gjithë ditës së shtunë deri në momentin e shoqërimit nga Policia.
Ky ishte një detaj që është anashkaluar nga ana e Policisë. Ai ka dhënë detaje për lëvizjet gjatë ditës së shtunë, ndërkohë që ngjarja e pretenduar mendohet se ka ndodhur dy ditë më parë, të enjten.
Rreth orës 22.00 të mbrëmjes mediat u njoftua jozyrtarisht se shumë shpejt Shullazi dhe miqtë e tij do të dilnin, pasi dyshimet ndaj tyre nuk provoheshin për momentin. Ky informacion u mësua edhe nga rreth 30 miq të të shoqëruarve, të cilët gjendeshin aty në mbështetje të tyre. Situata dukej e qetë dhe çdo gjë po shënonte “show-n” e radhës me emrin e Shullazit.
Gjithsesi, lirimi i të shoqëruarve po vonohej dhe shqetësimi mes miqve të Shullazit po bëhej evident. U interesuan sërish pranë oficerëve roje të policisë, të cilët u thanë se kanë ardhur prokurorët e Prokurorisë së Tiranës, për të kryer formalitetet e rastit.
Ndërkohë, disa qindra metra më tej, Prokurori i Përgjithshëm, kishte thirrur në një takim shefat e prokurorisë së Tiranës dhe Krimeve të Rënda, si edhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë Haki Çako dhe drejtorin e Policisë së Tiranës Ervin Hodaj.
Media, e cila ishte përqëndruar te Drejtoria e Policisë, e mësoi këtë informacion “informalisht” nga Prokuroria e Përgjithshme. Duket se Prokuroria synonte të ndërmerrte rol protagonisti në këtë histori.
Mediat e pranishme në murin rrethues të Prokurorisë së Përgjithshme, raportonin se takimi i thirrur nga Llalla kishte përfunduar dhe zyrtarët kishin dalë me shpejtësi nga zyra e kryeprokurorit.
Me kalimin e orëve, rreth mesnatës, burimet jozyrtare të Policisë informonin periodikisht se lirimi ishte çështje momenti dhe se burokracitë e shefave po vononin procedurat.
Ndërkohë, në ambientet e brendshme të Policisë kishte mbërritur pa u pikasur nga ata që ishin jashtë, profesor Mynyr Koni, i cili po jepte deklarimet e tij.
Në mesnatë, një oficer i Prokurorisë për Krime të Rënda u dorëzoi uniformave të policisë urdhërat e ndalimit për Shullazin dhe mikun e tij me të njëjtën mbiemër, si edhe për personin e konsideruar si krahu i djathtë i tij, Gilmando Dani. /boldnews