Gazetarja (Desada Metaj): Zoti Nishani ka pasur një reagim të fortë dje, një reagim tuajin ndaj deklaratave të Kryetarit të Bashkisë. Ka pasur një shkëmbim deklaratash, por fjalori i përdorur nga ju ka qenë krejtësisht i ndryshëm nga ai që ju keni përdorur herë të tjera. Çfarë ka ndodhur realisht që e ka bërë Presidentin e Republikës të ndryshojë mënyrën e komunikimit me publikun?
Presidenti Nishani: Jo, mënyra e komunikimit me publikun nuk ka ndryshuar, ka qenë absolutisht e njëjta, të cilën e kam ofruar gjatë gjithë kohës, karrierës sime publike dhe politike. Që nga ditët e para që kam hyrë në karrierën politike ka qenë e njëjta gjuhë, dhe nuk ka ndryshuar.
Gazetarja: Fjalori ka ndryshuar, le të themi…?
Presidenti Nishani: As fjalori nuk ka ndryshuar. Ka qenë një angazhim i Presidentit të Republikës para dy ditësh për të pritur me kërkesën e tyre në zyrën e Institucionit të Presidentit të Republikës një grup qytetarësh djem dhe vajzash të reja, të cilët protestojnë dhe kërkojnë të mbrojnë pikëpamjen e tyre ndaj një akti që po ushtrohet në Parkun natyror të Tiranës. Besoj se çdo qytetar normal i këtij vendi nuk mund të imagjinoj që Presidenti të refuzojë kërkesën e një grupi djemsh dhe vajzash për t’i pritur në Zyrën e tij, për të dëgjuar çështjet dhe shqetësimet e tyre dhe nëse do të ndodhte në një vend normal, Presidenti do të konsiderohej anormal. Prandaj, unë me shumë kënaqësi i kam pritur dhe dëgjuar dhe kam bërë prezent për opinionin publik qëndrimet e mia brenda një konteksti etik, institucional dhe ligjor. Me kërkesën e tyre gjithashtu m’u kërkua që të shkoja pranë tyre për shkak të situatën shumë të vështirë dhe të paimagjinueshme që ky grup qytetarësh, tërësisht me mendësi civile dhe emancipuese qëndron prej kohësh të gjata pranë vendit ku po dëmtohet në mënyrë të paimagjinueshme Parku natyror, i vetmi park natyror që ka Tirana, në fakt që është i populluar nga qytetarët dhe që shfrytëzohet nga qytetarët, të cilët janë ndeshur me injorimin total të institucionet e shtetit shqiptar, janë ndeshur me dhunën verbale dhe fizike të individëve të ndryshëm që funksionojnë dhe veprojnë brenda uniformës së shtetit, apo shfrytëzojnë uniformën dhe pozicionet e shtetit. Natyrisht që në këtë kontekst besoj që Presidenti i Republikës jo vetëm që është sjellë në mënyrë njerëzore, institucionale, qytetare, por edhe të përgjegjshme për të qenë pranë një grupi qytetarësh, që pavarësisht këndvështrimit të këndeve të ndryshme të shoqërisë që mund të kenë për misionin e tyre, por ama, mbi të gjitha ata shfaqin një qëndrim dinjitoz, njerëzor, paqësor, civil për të bërë prezent një shqetësim, i cili lidhet me një dimension shumë të madh. Unë besoj që këtu duhet të nisë analiza e të gjithë aktorëve të shoqërisë, tek çështja dhe thelbi i kauzës që këta qytetarë kërkojnë të mbrojnë dhe mënyra sesi po sillen aktorët e tjerë duke filluar nga institucionet e shtetit shqiptar.
https://youtu.be/qzBY_MW8k8o?t=2