“Rita Ora? Ajo nuk është e vetme”, kështu e nis shkrimin portali zviceran tio.ch duke i përmendur dy yjet e reja nga Kosova që po arrijnw sukses ndërkombëtar, Dua Lipa dhe Era Istrefi.
Këto janë dy emrat që janë shfaqur në muajt e fundit në muzikën pop ndërkombëtare. E përbashkëta e dy artisteve të reja është vendi i tyre i origjinës – Kosova, vazhdon shkrimi.
Në kuadër të sukseseve të dy këngëtareve, përmendet hiti i Duas, “Be the One”, si edhe kënga shpërthyese e Erës, “BonBon”, që ia siguroi depërtimin në tregun ndërkombëtar të muzikës.
Më tej thuhet se Era Istrefi ka lindur në Prishtinë më 4 korrik 1994 dhe ka dy motra dhe një vëlla. Nora është një këngëtare e suksesshme. Era ka debutuar në muzikë me këngën “Mani për Money”, por “BonBon” e bëri atë të njohur jashtë kufijve të vendit të saj. Dhe me 24 shkurt të këtij viti ka nënshkruar me Sony Music Entertainment.
Dua Lipa ka lindur në Londër nga prindër nga Kosova. Ajo debutoi në skenë në vitin 2015 me “Be the One”, kënga që ia hapi dyert në skenën ndërkombëtare të muzikës. Pasi qëndroi dy vite në vendin e saj, ajo u kthye në kryeqytetin anglez si 15 vjeçare, ku është angazhuar në klubet e natës, por edhe si modele. Ajo u zbulua nga menaxheri i Lana Del Rey dhe arriti të sigurojë një kontratë nga Universal Music.