Operacioni i dy ditëve më parë për kapjen e një personi të shumëkërkuar nga Drejtësia, të dënuar me 25 vjet burg për vrasje në Vlorë, duket se ka qenë thjesht një rastësi.
Leonard Elezaj, që kërkohej prej 12 vitesh për vrasje në bashkëpunim, ka përfunduar aksidentalisht në pranga.
Vetëm pak minuta e ndanin nga liria, kur po verifikohej për një kartë identiteti, kur gjurmët e gishtave e nxorën zbuluar.
Ai është shoqëruar fillimisht në Komisariatin nr.2, pasi patrulla e këtij rajoni e kishte kapur me kartë identiteti false, në zonën e “Komunës së Parisit”.
E gjatë kohës që mbahej për t’u marrë në pyetje në polici rreth gjeneraliteteve të sakta, oficerët kanë nisur të bëjnë gati dokumentet për t’i referuar në Prokurori, duke vendosur procedim në gjendje të lirë. Pikërisht në kohën kur 45- vjeçari Leonard Elezaj po bëhej gati të dilte nga Komisariati, pasi do të hetohej në gjendje të lirë, është zbuluar edhe identiteti i vërtetë, që në sistem figuronte person në kërkim me kartelë të kuqe.
Këtu zë fill edhe operacioni që, sipas Policisë së Tiranës, u krye nga Forcat Operacionale.
Elezaj u transportua në Drejtorinë e Policisë, ku u kryen procedurat e tjera, si person në kërkim për vrasje dhe u arrestua për llogari të Policisë së Vlorës.
Leonard Elezaj, prej 12 vitesh kërkohej për pengmarrjen dhe vrasjen e 29-vjeçarit Pasho Zotaj, në Vlorë, vrasje që e kishte kryer në bashkëpunim me të vëllain dhe një mikun e tij.
Sipas vendimit të Gjykatës, Leonard Elezaj u cilësua si ideator i rrëmbimit të viktimës Pasho Zotaj dhe më pas vrasjes së tij.
Ndërsa në këtë ngjarje, të ndodhur më 15 gusht të vitit 2004, morën pjesë edhe vëllai i tij Alban Elezaj, i vetmi që ndodhet në burg për këtë ngjarje, i dënuar me 21 vjet burg dhe miku i tyre, Erion Borakaj, i dënuar me 21 vjet burg./Panorama