TIRANE- David Gjokeja u deportua nga Greqia, por kur mbërriti në Kakavijë tentoi të kalojë kufirin me identitet false. Policia arriti ta identifikojë shumë të kërkuarin, David Gjokeja i dënuar me burg përjetë nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, nga Gjykata e Apelit Durrës dhe nga Gjykata e Lartë. Ai ka qendruar për 11 vite në arrati, duke u fshehur jashtë vendit edhe pse kishte në shpinë dy vrasje. Policia bëri të ditur sot lajmin për rënien në pranga të 49 vjeçari Gjokeja.
Historia e hasmërisë së fisit Gjokeja
Vrasjet për të cilat vëllezerit David, Arben dhe Kastriot Gjokeja janë shpallur fajtorë kanë ndodhur në Maj të vitit 2005, por historia e hasmërisë mes dy familjeve të të njëjtit fis e ka zë fill që në vitet ’95 për pronësinë e tokës ku u ndërtua kisha e Dervenit në Fushë-Krujë.
Në vendin e Gjykatës së Lartë sqarohet me detaje gjithçka ka ndodhur.
Marrëdhëniet midis fiseve Gjokeja fillojnë të acarohen mbas vitit 1995, për kontrollin e investimeve të realizuara në zonën e tyre, konkretisht për ndërtimin e një kishe në fshatin Derven të Krujës. Përshkallëzimi i këtij acarimi, ka sjellë dhe viktimën e parë në përballjen midis dy fiseve.
Shtetasi Pal Gjokeja (vëllai i Simon Gjokejës) në vitin 2001, ka vrarë Palush Ded Gjokejën, vëllai i tre të dënuarve David, Kastriot dhe Arben Gjokeja.
Pas kësaj ngjarje pjesëtarët e familjes së vrasësit janë ngujuar dhe më pas janë shpërngulur nga fshati Derven duke shkuar në fshatin Gjuricë të Komunës Ishëm.
Më 18 Maj 2005 Simon Gjokeja bashkë me të birin Eduart Gjokeja 28 vjeç dhe nipin (djalin e vëllait) Oligert Gjokeja 13 vjeç teksa ktheheshin në shtëpi në Ishëm, kanë rënë në pritën e vëllezërve Gjokeja.
Aty kanë gjetur vdekjen e menjëhershme Eduart Gjokeja dhe Oligert Gjokeja si dhe ka mbetur i plagosur Simon Gjokeja.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës në 2009 i ka dënuar tre vëllezërit për vrasjen e dyfishtë. David Gjokeja me burgim të përjetshëm, Arben Gjokeja me 25 vjet burgim dhe Kastriot Gjokeja me 21 vjet burgim. /Opinion.al