Antonio Conte ka vendosur t’i thotë lamtumirë kombëtares së Italisë në përfundim të Europianit, që do të zhvillohet këtë verë në Francë. “E ndiej se duhet të kthehem të punoj me një klub, në këtë mënyrë do të kem mundësinë të punoj çdo ditë. Në këtë moment jemi të përqendruar vetëm tek Europiani. Ata që më njohin e dinë se unë do të jap maksimumin”, ka shkruar trajneri italian në profilin e tij në Facebook.
Ish-trajneri i Juventus ka theksuar faktin se objektivi i tij do të jetë të marrë maksimumin në kompeticionin që do të zhvillohet në Francë. “Do të kërkojmë të shfrytëzojmë në maksimum potencialin tonë nëpërmjet punës dhe sakrificës. Dua të falënderoj edhe presidentin e federatës për mbështetjen që më jep çdo ditë në këtë aventurë të jashtëzakonshme”, ka përfunduar trajneri, i cili pritet të marrë drejtimin e skuadrës së Chelsea, pasi të tërhiqet nga kombëtarja “axurre”.