Fahri Kaçanolli, babai i Artur Kaçanollit, njërit prej 3 autorëve të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kunatave të moshuara Vava në Durrës, kundërshton vendimin e dhënë nga gjykata.
Në një prononcim për “DurrësLajm”, Fahri Kaçanolli thotë se Arturi nuk ka asnjë faj për krimin makabër që ndodhi. Madje ai shprehet se gjykata e Durrësit e ka dënuar të birin pa pasur asnjë provë konkrete, pasi sipas tij, Arturi, që është dhe nipi i dy viktimave, ka qenë në shtëpi natën e 2 shtatorit 2014 kur ndodhi ngjarja e rëndë.
“Natën e vrasjes djali ka qenë në shtëpi, në krevatin e tij, 13 km larg vendit të ngjarjes. Djali im nuk ka qenë i përfshirë në atë ngjarje. Nuk është faj që im bir është nip në familjen Vava”, tha babai i të dënuarit me lot në sy.
Ai u bën apel Gjykatës së Apelit, ministrit të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë që ta rishikojnë çështjen, pasi këmbëngul në pafajësinë e të birit që tashmë është dënuar me burg të përjetshëm.
Fahri Kaçanolli thotë se do ta çojë këtë çështje deri në Strasburg po të jetë e nevojshme, deri sa të shohë të birin jashtë dyerve të qelisë së hekurt.
“Do të shes gjithçka, madje edhe veten do ta shes, organet e mia një e nga një, deri sa djali im të rifitojë lirinë që ia prenë padrejtësisht”.
Tri ditë më parë, trupi gjykues i kryesuar nga relatorja Anita Mici vendosi “Burg për jetë” me akuzën e “vjedhjes me pasojë vrasjen kryer në bashkëpunim”, për Indrit Shaqjen, Velson Elmazin dhe Artur Kaçanollin, nipin e kunatave të moshuara. Po kështu, gjykata vendosi që dënimi nga tre të pandehurit të kryhet në burgje të sigurisë së lartë.