Nga Blendi Fevziu
Sapo i kishin lëvizur prej aty. Afër një bordure betoni, një si prag, në oborrin e pallatit të Sportit Asllan Rusi. Gjurmët e gjakut qenë ende të freskëta, ndërsa një prej këpucëve të nënës kishte mbetur ne toke. Dëshmitarët qanin. Qenë grumbulluar rreth policëve që masnin diçka gjatë e pa mbarim dhe ju tregonin gazetarëve se si nëna qe munduar të mbronte të bijën me trup. Me instiktin bazik të çdo prindi që prej kur ka jetë në këtë botë. Nuk kishte arritur dot. Qe dorëzuar përpara 7 plumbave të një pistolete me leje shtetërore, dhe kishte rënë bashkë me vajzën e saj, pranë e pranë, Kishin ikur bashkë nga kjo jetë, një adoleshente ende minorene dhe nëna e saj. Kishin ikur pa i bërë keq askujt. Pa lënduar askënd. Jua kishin marrë jetën në mes në mënyrën më monstruoze që mund të ndalet një jetë, pa asnjë shkak bindës.
M’u kujtua kjo skenë ku u gjenda rastësisht një ditë pranvere të vitit 2001. Kthehesha nga Durrësi atë ditë. Makinat kishin ndalur në hyrje të Tiranës dhe ndërsa u mundova të kuptoj atë që po ndodhte, u gjenda në mes të një skenë krimi që kish ndodhur mbase pak orë më parë. Për ditë me rradhë e ndoqëm historine në gazetë; në televizion. Ishte një vrasje makabre, një vrasje që meritonte si logo titullin e famshëm të Gabriel Garcia Markezit: Kronikë e një vrasje të paramenduar! Një adoleshente dhe nëna e saj, kishin ikur nga kjo jetë sepse Shteti nuk diti ose nuk deshi t’i mbrojë.
E para vajza u vra nga një oficer i shtetit shqiptar, një oficer i shërbimeve sekrete, me një arme që ai e kishte pikërisht për të mbrojtur qytetarët.
E dyta, vajza u vra pasi kishte bërë plot 6 denoncime në polici. Ajo, babai dhe nëna e saj. Askush nuk e mori në mbrojtje, derisa humbi jetën bashkë me nënën në oborrin e Pallatit të Sportit.
E treta, vrasësi me gjithë kërcënimet asnjëherë nuk u ndalua nga policia. Nuk reagoi as SHIK, ndërkohë që babai i vajzës kishte bërë denoncim në polici.
Shteti që duhet ta mbronte e la në baltë, për të mos thënë që në mënyrë të fshehtë favorizoi ikjen e vrasësit me një pasaportë sllovene, ndoshta nga ato që shërbimet sekrete përdorin jo rrallë në misionet e tyre.
M’u kujtuan të gjitha këto dje e sot, ndërsa debati mbi vrasjen e Alda Cenajt u rikthye sërish në publik. E kuptoj dhimbjen e asaj familje. Siç nuk kuptoj dot, se si 16 vjet pas ngjarjes, personi që kreu krimin ende vijon të japë versione kontradiktore. Në gjyq deklaroi në distancë se nëna e vajzës kishte nxjerrë pistoletën ta qëllonte sapo e pa. Por në çantën e gruas u gjetën një shami, një abone urbani dhe 330 lekë. Armët e vetme të një nëne që donte të mbronte vajzën e saj.
Ende nuk ka kërkuar ndjesë. Ende nuk ka shpjeguar se përse iku dhe u fsheh për vite me rradhë duke tentuar të mos kryejë dënimin për një krim që e kishte pranuar po vetë. Që në vitin 2002 kur u dënua me burgim të përjetshëm.
Më qëlloi këto ditë të ndjek edhe komentet ndaj intervistës dhe qëndrimin ndaj Gjebreas që e bëri atë. Gjebrea nuk është gazetar investigativ. As e ka këtë mision. Ai ka gjetur të tregojë një histori burgu dhe e ka bërë këtë duke besuar personin që ka përballë. Pa i hyrë analizave të thella dhe pa e pretenduar këtë. Ai thjeshtë ka ndërtuar një histori burgu, me gjithë dritëhijet që ajo ka. Në mediat shqiptare ka vitet e fundit plot intervista me kriminelë dhe vrasës në burg, nga gazetarë që merren çdo ditë më këtë gjë. Kanë gjënjyer e kanë ngritur alibi e askush nuk është kujtuar për këtë. Ndaj mos i ngarkoni Gjebreas, një peshë që as ai nuk e pretendon!
E frikshme dhe e trishtë, kjo histori na vlen të gjithëve. Për të kuptuar se sa e dhimbshme është ikja e një minoreneje që nuk e mbrojti askush: as shteti, as policia, as shkolla, as shoqet e miqtë dhe as shoqatat e OJQ. Veç nënës së saj, që atë mbasdite e mbuloi me trup dhe iku bashkë me të në parajsë…
Blendi Fevziu