Europarlamentarët Eduart Kukan dhe Knut Fleckeinstein kanë folur para mediave, pas takimit me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, për arsyet e vizitës në Shqipëri.
Të dy zyrtarët e lartë, e vunë theksin te reforma në drejtësi, si pritshmëri nga e cila varet integrimi europian i Shqipërisë.
Të dy pohuan se kishin vënë re që të tre liderat kryesorë në vend, Rama-Basha-Meta, kanë dëshirën për të gjetur zgjidhje lidhur me reformën dhe procesin integrues.
Fleckeinstein tha se “kemi ardhur pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit në mënyrë që të krijojmë një ide se si mund të ndihmojmë vendin. Jemi të kënaqur e arritur me progresin deri më tani.”
“Jam i lumtur që Meta, Rama dhe Basha, më bindën se ata kanë realisht dëshirën për të gjetur zgjidhjen dhe që ky do të jetë hapi i parë. Na duhet një qasje e përbashkët që jo vetëm të miratohen, por edhe të zbatohen ligjet. Duhet të provojmë se kjo reformë nuk bëhet për të kënaqur kancelaren Merkel por për të mirën e shqiptarëve“.
Ndërsa Eduart Kukan shtoi se “kemi ardhur për të kuptuar çfarë asistence mund t’i japim Shqipërisë për anëtarësimin në BE”.
“Dëshiroj të them se qëllimi i vizitës sonë është i thjeshtë, transparent: jemi këtu sepse jemi miqtë e Shqipërisë. Në vizitën e mëparshme erdhëm për të ndihmuar miratimin e ligjit të dekriminalizimit, ndërsa sot erdhëm për të parë si mund të ecet përpara me reformën në drejtësi. Kemi ardhur të dëgjojmë udhëheqësit tuaj, të dëgjojmë cilat janë pozicionet e tyre në këtë reformë. Shqipëria është vend kandidat, që do të thotë se kërkojmë që të ecet përpara përmes një date se kur do te jepet pëlqimi, por ka disa pritshmëri si përshembull reforma në drejtësi, që ju duhet ti përmbushni. Në parlamentin europian ju keni shumë miq dhe ne duam ta shohim Shqipërinë të angazhuar në negociata. Keni shumë vende rajoni të përfshira në negociata dhe ne duam ta shohim edhe Shqipërinë në negociata”.
“Sa më shpejt që Shqipëria të bëhet pjesë e procesit, aq më mirë do të jetë për të gjithë, edhe për PE sepse është sfidë e përbashkët, por mbi të gjitha për qytetarët shqiptarë që e meritojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europianë”, përfundoi Kukan.
Redaksia Online/ A.H